Bota Kur filloi dhe çfarë është lëvizja Black Lives Matter?

Kur filloi dhe çfarë është lëvizja Black Lives Matter?

Lëvizja Black Lives Matter, është vënë përsëri në qendër të vëmendjes, pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, kur polici i bardhë Derek Chauvin, e mbajti gjurin mbi qafën e tij për 8 minuta dhe 46 sekonda.

Black Lives Matter filloi në korrik të vitit 2013, kur George Zimmerman u shpall i pafajshëm pasi hapi zjarr duke shkaktuar vdekjen e 17-vjeçarit, Trayvon Martin, një adoleshent i paarmatosur afrikano-amerikan.

Martin u vra nga Zimmerman ndërsa po kthehej nga një dyqan në shtëpinë e të atit, në Sanford të Floridës. Zimmerman, një roje vullnetar i vetëshpallur, telefonoi departamentin e policisë, përmendi se kishte pasur vjedhje në lagje dhe tha se po shihte një “djalë shumë të dyshimtë”, që dukej se kishte synime të shkaktonte probleme.

Megjithëse dispeçeri i policisë i tha Zimmermanit se nuk ishte nevoja për shërbimin e tij, Zimmerman doli nga makina, gjë që u pasua nga një konfrontim i dhunshëm mes tij dhe Martinin. Zimmerman hapi zjarr, duke e lënë të vdekur Martinin dhe më pas i tha policisë se Martin e kishte sulmuar dhe ai kishte vepruar për t’u vetëmbrojtur. Kjo ishte baza për shpalljen e tij të pafajshëm.

Pasi u rrëzuan akuzat ndaj Zimmermanit, Alicia Garza, që atëherë ishte veprimtare dhe bashkëthemeluese e fondacionit Black Lives Matter Foundation, e përfundoi një postim të saj në Facebook, duke shkruar: “Njerëz me ngjyrë. Ju dua. Jeta jonë ka vlerë”.

Alicia Garza,

Patrisse Cullors, një veprimtare tjetër dhe bashkëthemeluese e Fondacionit Black Lives Matter, pas postimit të Garzas krijoi sloganin #BlackLivesMatter në mediat sociale, i cili fitoi popullaritet.

Lëvizja u përhap në shkallë vendi, një vit më pas, në korrik 2014, kur vdiq Eric Garner.

Garner, një afrikano-amerikan, u ndalua nga policia e Nju Jorkut nën dyshimin se shiste cigare në sheshet e Staten Island. Oficeri i policisë, Daniel Pantaleo e rrëzoi në tokë Garnerin duke i zënë frymën, ndërsa dëshmitarët e regjistruan Garnerin, i cili thoshte “Nuk marr dot frymë”.

43-vjeçari, baba i gjashtë fëmijëve, u shpall i vdekur më pas në spital. Raporti i mjekësisë ligjore arriti në përfundimin se shtrëngimi i fytit nga polici, shkaktoi vdekjen e tij.

Pothuajse dy muaj pas vdekjes së Garnerit, adoleshenti 18-vjeçar afrikano-amerikan, Michael Brown u vra me armë zjarri nga oficeri i polcisë, Darren Wilson në Ferguson të shtetit Missouri.

Slogani #BlackLivesMatter ka vazhduar të përdoret për të protesuar ndaj asaj që lëvizja e sheh si zbatim i pabarabartë i padrejtësisë, veçanërisht në lidhje me vrasjen e afrikano-amerikanëve nga policët e bardhë apo të tjerë që pretendojnë se veprojnë në emër të mbrojtjes së ligjit.

Ndërsa lëvizja gëzon mbështetje të gjerë nga afrikano-amerikanët, është kritikuar nga konservatorët. Disa politikanë republikanë e akuzojnë se përforcon paragjykime kundër policisë. Një sondazh në vitin 2015, arriti në përfundimin se 41 për qind e amerikanëve të bardhë mendojnë se ky grup nxit dhunën, diçka që udhëheqësit e saj e mohojnë.

Organizata përpiqet gjithashtu të ekspozojë racizmin në gjithë vendin dhe bashkëthemeluesit e Fondacionit Black Lives Matter Foundation, Garza, Cullor dhe Opal Tometi kanë këmbëngulur se misioni i organizatës së tyre është “çrrënjosja e supremacisë së bardhë dhe konsolidimi i strukturave lokale për të ndërhyrë në dhunën e shkaktuar në komunitetet afrikano-amerikane nga shteti dhe të tjerë që marrin rolin e vendosjes së rendit mbi vete”.