Fakti që Las Vegasi u kthye mbrëmjen e së hënës, në skenën e masakrës më të madhe me armë zjarri në historinë e Amerikës, nuk i ka penguar vizitorët e qytetit të kazinove të përpiqen t’i shijojnë deri në fund pushimet e tyre.
Tabela e famshme “Mirësevini në Las Vegas” vazhdon të mbetet një magnet për turistët, që nuk kanë ngurruar të marrin poza, disa madje në afërsi të hotelit të tragjedisë, “Mandalay Bay”.
“Duhej të bënim një shëtitje me helikopter ditën pas ngjarjes, e plani u anulua. Ka një lloj zymtësie gjithandej, megjithatë njerëzit po përpiqen të vazhdojnë jetën si normalisht”, tha Pete Hibberd, turist nga Londra.
“Gjërat janë disi më ndryshe. Ditën pas të shtënave këtu mbretëronte qetësia. Por argëtimi këtu mbetet i madh. Ky është një vend shumë i bukur”, tha Vanessa Loh, turiste nga Melburni.
“Njerëzit flasin për atë që ndodhi dhe sigurisht ndihen keq. Ama ky vazhdon të jetë Las Vegas dhe ne duhet të ecim përpara”, tha Randy Holt.
Çiftet kanë lidhur kurorë si përherë në Las Vegas, 21-vjeçarët kanë konsumuar pijet e tyre të para të ligjshme alkoolike, ndërsa megaresortet reklamonin me të madhe figurat qendrore të spektakleve të tyre, siç ishte ai i Celine Dion, i paracaktuar për të martën.
Deri mbrëmjen e së dielës, më vdekjeprurësi në historinë e Amerikës konsiderohej sulmi me armë zjarri në një klub nate të Orlandos, qershorin e vitit të kaluar, prej të cilit humbën jetën 49 persona.