Lautaro Martinez bëhet sërish protagonist te Interi, pasi ashtu si ndaj Parmës të dielën, vendosi fatin e takimit edhe mbrëmjen e sotme në Europa League, ku zikaltrit fituan minimalisht 1-0 ndaj Rapidit të Vjenës, në “Allianz Stadion”.
Problemet e shpërthyera me ish-kapitenin Mauro Icardi, nxorën në skenë pikërisht blerjen e verës të zikaltërve, sulmuesin tjetër argjentinas, i cili iu përgjigj në mënyrën e duhur apelit të drejtuesve, duke treguar se është i aftë të zëvendësojë shokun dhe patriotin e tij në majë të sulmit.
Martinez shënoi me penallti, pasi kishte arritur t’i “rrëmbejë” në mënyrë mjeshtërore 11-metërshin mbrojtësit të skuadrës së Rapidit, ndërsa përballë portierit kundërshtar nuk fali, duke gjuajtur në qendër të portës dhe duke i dhënë fitoren zikaltërve.
Përveç golit vendimtar, sulmuesi dhuroi një sërë numrash të tjerë mjaft interesantë, duke treguar grintë të lartë, por edhe bagazh të konsiderueshëm teknik, teksa ndryshe nga Icardi, merrte pjesë në mënyrë aktive në lojën e skuadrës.
Nga ana tjetër Interi merr një fitore minimale, por me mjaft vlerë, pasi hedh një hap të sigurt drejt kualifikimit për në fazën e 1/8-ave dhe për më tepër rigjen pak qetësi, pas “tymnajës” së madhe të lëshuar nga çështja Icardi.
Skuadra tjetër italiane, Lazio u mposht me rezultatin minimal 0-1 nga Sevilla në “Olimpico”, teksa fati i takimit u vendos që në pjesën e parë, kur sulmuesi kryesor i andaluzianëve, Ben Yadder arriti të mposhtë Thomas Strakoshën.
Pa Immobilen dhe Milinkoviç-Saviçin, por edhe me dëmtimin e shpejtë të Luis Albertos, bardhekaltrit e Inzaghit vuajtën shumë në takimin e sotëm, ndërsa kualifikimi shndërrohet në një “mision të pamundur”, ndonëse janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur.
Befasia e mbrëmjes erdhi nga Bjellorusia, ku Bate Borisov arriti të mposhtë gjigantët anglezë të Arsenalit, me rezultatin minimal 1-0. Skuadra e Unay Emery zhvilloi një takim të mirë, por nuk arriti të konkretizojë në kuadratin e bjellorusëve, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes, mbeti edhe me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq ndaj sulmuesit francez Laccazette.
Barazime me gola u arritën në Francë, kur Rennes dhe Betis shënuan të dyja nga 3 gola, por edhe në Greqi, ku Olympiacos dhe Dynamo e Kievit u ndanë me rezultatin 2-2, ndërsa Krasnodar-Bayer Leverkusen dhe Slavia Prague-Genk përfunduan me rrjeta të paprekura.