Lautaro Martinez po ushtron presion ndaj Interit, për t’i bindur drejtuesit që ta lejojnë të realizojë ëndrrën e tij: të luajë përkrah Messit te Barcelona. Argjentinasi është i vendosur për këtë transferim, aq sa ka nisur të trazojë ujërat në një moment kur gjithçka ka rënë në qetësi. 22-vjeçari, sipas katalanes “Sport”, është gati ta kërkojë publikisht shijen te Barça. Marrëveshja dukej e kryer para pak javësh, pas raportimeve se klubi “blaugrana” dhe futbollisti kishin rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare. Por problem mbetet kërkesa e palëkundur e Interit për para “cash”, duke hedhur poshtë përfshirjen e disa lojtarëve të tjerë në bisedime.
Barcelona gjithmonë ka shprehur gatishmërinë për të paguar deri 65 milionë euro, kurse pjesa tjetër do të plotësohej duke i ofruar Interit disa lojtarë. Zikaltrit, nga ana e tyre, duan të paktën 80-90 milionë euro në dorë, plus një lojtar të Barçës.
Mes dy klubeve ndodhet Lautaro, tashmë i lodhur nga qëndrimet e tyre. Pasi siguroi Conten se do të japë maksimumin e mundshëm për Interin deri në fund të sezonit, ai është gati të ngrejë zërin për të ndjekur ëndrrën e tij.