Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Le Courrier européen” ka botuar, të premten e 9 gushtit 1907, në faqen n°12, një shkrim në lidhje me memorandumin e shqiptarëve drejtuar asokohe delegatëve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Hagë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Memorandumi shqiptar.
Një memorandum nga shqiptarët e tri feve u është dërguar delegatëve të Fuqive në Konferencën e Hagës. Ata formulojnë kërkesa në favor të krijimit të shkollave shqipe, të administrimit më të mirë të drejtësisë në trevat shqiptare dhe dhënies së lirive të përputhshme me progresin modern:
“Ne duam shkolla shqipe, ku fëmijët tanë të mësojnë; ne duam shkolla kombëtare, ku të mësohet gjuha jonë, e shtypur dhe e ndaluar deri tani.
Ne duam reforma të thella administrative. Të lodhur nga presioni dhe shtypja e zyrtarëve të paskrupullt dhe të papërgjegjshëm, ne kërkojmë një administratë autonome, të ndershme; një administratë e denjë për një komb të qytetëruar.
Këtu përqendrohen kërkesat tona. Prej vitesh ushtarët e uritur të Sulltanit të Kostandinopojës dhe hordhitë e vrasësve grekë kanë kryer një gjueti të tmerrshme në Shqipëri. Pa dallim race apo feje, vrasin, masakrojnë, burgosin, internojnë.
Kërkesat tona nuk janë të tepruara. Ne nuk jemi, thënë në mënyrë të qartë, revolucionarë, thjesht jemi të lodhur duke jetuar në anarki dhe na vjen turp të shohim se vendi ynë i bukur përbën një plagë dhe një të keqe të turpshme në krah të Evropës.
Ne duam që Shqipëria të jetë e shqiptarëve. Ne pretendojmë të drejtën e qytetërimit. Ne duam të çlirohemi nga barbaria; ne duam të thyejmë matricën që na rrethon, me një fjalë, duam të jetojmë.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania