Nga Aurenc Bebja*, Francë
“Le Populaire” ka botuar, të shtunën e 8 prillit 1939, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me telegramin e mbretit Zog dërguar asokohe legatave britanike, franceze, amerikane, jugosllave, turke, greke dhe rumune mbi sulmin e territorit shqiptar nga forcat ushtarake italiane, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Londër, 7 prill.
Një telegram nga Tirana, i cili arriti në Londër gjatë mbrëmjes, njofton se Mbreti Zog i Shqipërisë ka lajmëruar personalisht legatat britanike, franceze, amerikane, jugosllave, turke, greke dhe rumune mbi sulmin e territorit shqiptar nga forcat ushtarake italiane.
Mbreti Zog u tha gjithashtu përfaqësuesve të huaj diplomatikë se qeveria e tij kishte vendosur të mbrojë tokën shqiptare me të gjitha forcat që ka në dispozicion dhe se lufta vazhdon me frymën më të madhe të rezistencës nga ana e trupave mbretërore shqiptare.
Së fundi, Mbreti Zog u kërkoi ministrave të jashtëm të informojnë qeveritë e tyre përkatëse “se sulmet italiane përbëjnë një shkelje formale të të gjitha traktateve dhe marrëveshjeve ekzistuese midis Shqipërisë dhe Italisë”.
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania