Sport “Le t’ia japin Kupën Messi”, tërbim portugez kundër arbitrit argjentinas. Santos: Nuk...

“Le t’ia japin Kupën Messi”, tërbim portugez kundër arbitrit argjentinas. Santos: Nuk e di nëse qëndroj

Eliminimi i Portugalisë në çerekfinale ndaj Marokut, ka një fajtor sipas portugezëve. Ai është arbitri argjentinas. Ka qenë i ashpër reagimi i Pepe, pas eliminimit të luzitanëve nga Botërori. “Është e papranueshme që sot një arbitër argjentinas të gjykonte pas asaj që ndodhi dje, me Messin që ankohej”, protestoi mbrojtësi. “Pas asaj që pashë sot, ata mund t’i japin titullin Argjentinës,” shtoi Pepe, duke drejtuar gishtin nga FIFA dhe Facundo Tello.

Bruno Fernandes: Si ka mundësi që gjykon një arbitër që ka ende kombëtaren e tij në Botëror?

Jo vetëm Pepe, por edhe Bruno Fernandes ka shpërthyer ndaj arbitrit argjentinas Tello, pas ndeshjes së humbur të Portugalisë.

“Mos më prekni, dua të them atë që kam për të thënë. Nuk e di nëse duan t’ia japin Argjentinës këtë Botëror. Është shumë e çuditshme të kesh një arbitër që ka ende Kombëtaren e tij në lojë, ne nuk kemi asnjë arbitër portugez.

Keni gjyqtarët e Champions League, ata kanë nivel dhe cilësi për të qenë këtu. Arbitrat anuan qartë nga Maroku. Në pjesën e parë ishte penallti e pastër në rastin tim. Nuk jam mësuar kurrë në jetën time që të bie kur jam vetëm për vetëm me portierin, ku unë edhe mund të gjuaja në atë situatë”, tha ai.

Santos: Nuk e di nëse qëndroj

Pas humbjes ndaj Marokut, ka qenë tërësisht i hidhëruar trajneri i Portugalisë, Fernando Santos. “Të largohesh nga një Botëror dhemb gjithmonë. Kishte vështirësi në pjesën e parë – shpjegoi ai -. Na u desh shumë kohë për të hyrë në lojë. Lojtarët donin të ishin të rrezikshëm, por ata nuk ishin në gjendje të krijonin. Për ne, për mua dhe për lojtarët, është një zhgënjim i madh – vazhdoi trajneri i Portugalisë -. Skuadra ishte e sigurt, por e vërteta është se ne nuk ia dolëm. Ne u përmirësuam shumë në pjesën e dytë. Veçanërisht në 20 minutat e fundit, ishim shumë të shqetësuar, duke dashur ta fusnim topin shpejt në zonë”, vazhdoi Santos. “Për momentin jemi shumë të trishtuar. Ishim të bindur se mund të arrinim në finale dhe të fitonim. A do të qëndroj? Nuk është koha për t’u përgjigjur. Nesër shkojmë në Lisbonë dhe, si gjithmonë, presidenti dhe unë do të flasim për të kuptuar se çfarë është më e mira për Portugalinë”.