Aktualitet Dy të plagosur në Fushë-Krujë, autori i dehur qëlloi shokun dhe veten

Dy të plagosur në Fushë-Krujë, autori i dehur qëlloi shokun dhe veten

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në fshatin Qerek të Tapizës. Policia njofton se një 25-vjeçar ka plagosur me armë zjarri shokun e tij dhe më pas edhe veten.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur si shkak i një konflikti të çastit, teksa dy personat, të cilët kanë qenë miq me njëri-tjetrin, ndërsa kanë konsumuar alkool deri në orët e para të mëngjesit. Në tavolinën e tyre ka nisur një sherr që më pas ka përfunduar në përdorimin e armëve të zjarrit.

Policia ka arrestuar 25-vjeçarin dhe pronarin e lokalit për prishje të vendit të ngjarjes dhe fshehje të provave, si edhe një shtetas tjetër për moskallëzim të krimit.

Njoftimi i Policisë

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 25 vjeç, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi H. M., 24 vjeç, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi: F. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, rezulton se këta shtetas ishin ulur së bashku në të njëjtën tavolinë, në lokalin e shtetasit H. M., në Qerek Tapizë.

Dyshohet se në gjendje të dehur, shtetasi Xh. S., ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe në rrethana ende të paqarta, ka plagosur shtetasin L. C. (shok i tij) dhe më pas është vetëplagosur në dorë. Të dy shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Po nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. M., pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja, ka fshehur armën e krimit, ka hequr gëzhojat nga vendngjarja dhe ka prishur vendin e ngjarjes.

Gurpi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.