Anglia nis me lehtësimin e kufizimeve nga kjo e hënë, me planin për të rihapur plotësisht vendin deri në qershor. Për herë të parë në 6 muaj, në Londër nuk u shënua asnjë viktimë nga koronavirusi falë masave strikte dhe vaksinimit të shpejtë.
E hënë e gëzueshme për britanikët. Nga 29 marsi shfuqizohet urdhri i izolimit, që detyronte banorët të qëndronin në shtëpi. Tani qytetarët do të lejohen të takohen jashtë në grupe prej 6 personash për herë të parë në 3 muaj, edhe pse kryeministri Boris Johnson bëri thirrje për kujdes mes rritjes së rasteve me koronavirus në Europë.
Nga e hëna, do të lejohet gjithashtu përdorimi i ambienteve sportive të tilla si pishinat, fushat e tenisit apo të basketbollit, edhe pse me kufizime të distancimit social. Por ndryshimet më të rëndësishme, përfshirë rihapja e dyqaneve jo të domosdoshme, bareve e restoranteve në ambient të hapur pritet të vijnë pas 12 prillit.
Ndërkaq, sa i përket lokaleve apo qendrave argëtuese në ambient të mbyllur, do duhet pritur deri në të paktën 17 maj. Johnson shpalli një lockdown të tretë kombëtar në Angli nga 4 janari, por tha se planifikon të procedojë përmes një mënyre të kujdesshme, por të pakthyeshme, drejt normaliteti, i ndihmuar edhe nga fushata e shpejtë e vaksinimit.
Megjithatë kryeministri ka paralajmëruar se variantet e reja të virusit rrezikojnë të minojnë fushatën, e cila është e katërta më e shpejta në botë, pas Izraelit, Emirateve të Bashkuara arabe dhe Kilit.
Situata në Britani është në kontrast me atë që po ndodh në pjesën tjetër të Europës, me Gjermaninë dhe Francën me shtete që kërcënohen nga një valë e tretë infektimesh e hospitalizimesh.