Ekonomi Lehtësohet regjistrimi dhe monitorimi i mjeteve lundruese, Balluku: Mbështetje për zhvillimin e...

Lehtësohet regjistrimi dhe monitorimi i mjeteve lundruese, Balluku: Mbështetje për zhvillimin e turizmit

Qeveria Shqiptare do të lehtësojë procedurat e regjistrimit dhe monitorimit të mjeteve lundruese turistike dhe atyre të argëtimit me tonazh nën 150 GT. Kuvendi ka miratuar sot me 84 vota pro projektligjin e paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të kënaqësisë, me motor me fuqi mbi 30kv ose 40.8 kf dhe tonazh nën 150 GT”.

Gjatë prezantimit të projektligjit në seancën plenare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka theksuar rëndësinë e posaçme që ka kjo nisëm ligjore për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Me ndryshimet e parashikuara do të mundësohet aplikimi dhe pajisja me leje lundrimi në rrugë elektronike, në kuadër edhe të nismës së Qeverisë për dixhitalizimin e shërbimeve.

Ministrja Balluku renditi një sërë veprash dhe projektesh madhore, si bypaset e Fierit dhe Vlorës, tuneli i Llogarasë, Aeroporti i Vlorës, ujësjellësat dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotur në zonat turistike etj., të cilat tregojnë më së miri fokusin e veçantë që Qeveria Rama i ka kushtuar zhvillimit të turizmit. Këto vepra të rëndësishme synojnë nxitjen e turizmit në vendin tonë, me objektiv fundor shndërrimin e Shqipërisë në një “hot spot” të turizmit në zonën e Ballkanit Perëndimor.

Por sipas ministres Balluku, turizmi si një koncept shumëpalësh kërkon qasje të integruar dhe multisektoriale për ta zhvilluar ndaj nuk mund të konceptohet asnjëherë i veçuar nga transporti ajror, detar, ai rrugor apo nga të gjithë lehtësirat e tjera përsa i përket shërbimeve.

Në këtë kontekst janë edhe ndryshimet më të fundit ligjore për lehtësimin e procedurave të regjistrimit dhe monitorimit të mjeteve lundruese turistike dhe atyre të argëtimit. Por jo vetëm kaq. Këto ndryshime kanë ardhur edhe si një përgjigje ndaj ankesave të pronarëve të këtyre mjeteve lundruese për procedurat e rrepta e të komplikuara të regjistrimit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se parashikohet krijimi i dy sistemeve elektronike: “Një nga sistemet është krijimi i Regjistrit Elektronik të mjeteve lundruese, ku do të regjistrohen online të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të ketë akses disa institucione ligjzbatuese. I dyti është sistemi i Posaçëm Elektronik për lëvizjen e mjeteve lundruese, i cili do të vendoset në funksion të Kapitenerive të Porteve, që monitorojnë lundrimin në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësorë të Republikës së Shqipërisë sipas përcaktimeve të Kodit Detar. Sot këto kapiteneri nuk e kanë këtë mundësi, pasi gjithçka ndodhet në regjistrat fizikë dhe jo ato elektronikë”.

Duke prezantuar risitë që parashikohen në ligj, ministrja Balluku nënvizoi se me ligjin e ri përcaktohen “përgjegjësitë e subjekteve detare për veprimtaritë, që duhet të kryejnë për regjistrimin e mjetit lundrues, ndryshimin e pronësisë apo për raportimin në sistemin e posaçëm të komunikimit, në çastin e mbërritjes në port, me detajet e qëndrimit për mjetet në pronësi të qytetarëve të huaj. Për mjetet lundruese turistike apo të argëtimit me flamur të një shteti tjetër, ky projektligj parashikon lejimin e lundrimit të tyre në ujërat e Republikës së Shqipërisë, me një afat 18 mujor, por duke mbetur subjekt i kontrolleve të autoriteteve kompetente sipas rastit”.

Ndryshimet ligjore parashikojnë gjithashtu dhe sanksionet përkatëse për shkeljen e detyrimeve që rrjedhin prej tij, nga gjoba me vlerë 20 mijë lekë deri në bllokimin e mjetit për 90 ditë në varësi të shkeljes, si dhe procedurat e ankimimit administrativ, aktet nënligjore që do të hartohen në zbatim të këtij ligji dhe dispozitat e tjera.