Karriera në polici mund të jetë e shkurtër për një 23-vjeçar në Durrës.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi këtë të shtunë se ka vënë në pranga Gledis Lushin, i cili punon si ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit.
I riu dyshohet se rreth një javë më parë ka lejuar daljen jashtë shtetit të një personi që është shpallur në kërkim për disa vepra penale.
“Në datë 22.09.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka kryer ndalimin e oficerit të policisë Inspektor Gledis Lushi, 23 vjeç, me detyrë Nd.kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit. Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet se në datë 17.09.2023 ka lejuar daljen jashtë shtetit nga PKK të një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale”, njoftoi AMP.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.