1525 – Në Zvicër, themelohet Lëvizja Anabaptiste, kur mbi 10 persona shkelën traditën mijë – vjeçare të pagëzimit, duke u pagëzuar përsëdyti. Disa e konsiderojnë lëvizjen Anabaptiste si protestante, të tjerë thonë se është lëvizje më vete.
Sektet fetare Amish dhe Mennonite janë pasardhës të drejtpërdrejtë të anabaptistëve zviceranë. Shprehja “Anabaptist” do të thotë “ri- pagëzim”. Themeluesit e kësaj doktrine besonin se pagëzimi i njeriut kur është foshnje, bëhet pa vetëdijen e tij, dhe se njerëzit duhet të pagëzohen përsëri kur arrijnë moshën e pjekurisë dhe ta kryejnë këtë rit me vetëdije a dëshirën e tyre.
1535 – Francë – dhjetra protestantë u dogjën në turrën e druve në sheshin para Katedrales Notre – Dame de Paris (Shën Maria e Parisit). Shkaku ishte “Çështja e Pankartave”, incident që ndodhi më 18 tetor 1534, kur brenda natës afishe anti – katolike u shfaqën në vende publike në Paris, Orleans dhe qytete të tjera të mëdha në Francë. Madje një afishe e tillë ishte ngjitur edhe në derën e dhomës së gjumit të Mbreti Francis I. Kjo bëri që “Affaire des Placards” të sillte fundin e qëndrimit të butë të mbretit, i cili deri atëherë ishte përpjekur t’i mbronte protestantët nga masat e ashpra të parlamentit të Parisit.
1789 – Romani i parë amerikan, “The Power of Sympathy” publikohet në Boston, Masaçusets. Romani, botuar nga Isai Thomas, dhe shkruar në formë epistolari (letër-këmbimi) nga William Hill Brown, flet mbi rreziqet e pasioneve të pa kontrolluara. Libri mbron edukatën morale dhe të menduarit racional, si mënyra për të parandaluar pasojat e joshjeve ose të vepruarit nisur nga pasionet.
1861 – Lufta Civile Amerikane: Jefferson Davis jep dorëheqjen nga Senati i Shteteve të Bashkuara, dhe shkon në Riçmond për t’u bërë President i Konfederatës së shtete kundërshtare të Bashkimit gjatë Luftës Civile (1861-1865). Davis ishte diplomuar nga Akademia Ushtarake në Uest Point. Në Luftën amerikane – meksikane, ai ishte kolonel i një regjimenti vullnetarësh. Më pas shërbeu si Sekretar i Luftës (sot Sekretar i Mbrojtjes) nën presidentin Franklin Pierce (1953–1857), dhe pastaj si senator demokrat i Misisipit. Plantacioni i tij në Misisipi varej nga puna e skllevërve. Si senator, ai mbrojti idenë se çdo shtet është sovran dhe ka të drejtë të padiskutueshëm të shkëputet nga Bashkimi kur sovraniteti shkelet. Historianët thonë se gjatë luftës civile amerikane, Davis u tregua një udhëheqës shumë më pak efektiv sesa homologun e tij i Bashkimit, Abraham Lincoln. Pas luftës, Davis u kap më 1865; dhe u akuzua për tradhti, por nuk u gjykua; ai u lirua pas dy vjetësh; dhe vetëm nga fundi i viteve 1880, filloi të inkurajojë pajtimin jug-veri, duke u bërë thirrje jugorëve për të qenë besnikë ndaj Bashkimit.
1924 – Në Moskë, vdiq Vladimir Iliç Lenin – Ai u bë revolucionar kur vëllai i tij, Aleksandër Ulyanov, u ekzekutua (1887) për pjesëmarrje në një komplot kundër car Alexandrit. Lenini studioi për ligj, por e ndërpreu shkollën kur u dëbua nga Rusia – Ai praktikoi ligj për pak kohë, por shpejt hoqi dorë, duke e përqendruar vëmendjen në studimin e veprave të Karl Marksit dhe në propagandën mes punëtorëve. Lenini u internua në Siberi në vitin 1895 dhe pas mbarimit të dënimit më 1900 u dëbua nga Rusia dhe u kthye vetëm kur qeveria ishte e zënë me Luftën e parë Botërore, dhe ai pati mundësi për t’u marrë me revolucion. Pas fitores së revolucionit të tetorit 1918, Lenini u bë kryetar i Këshillit të komisarëve të Popullit (të gjitha postet e rëndësishme i mori për vete). Trocki dhe Stalini ishin bashkëpunëtorët e tij më të afërt, por asnjërit nuk i besonte. Bolshevikët (që u bënë më pas Parti Komuniste) shpallën se Revolucioni i Tetorit kishte vendosur diktaturën proletare. Aktet e para të qeverisë së re ishin heqja e pronësisë private të tokës dhe shpërndarja e saj mes fshatarëve. Bankat u shtetëzuan, kontrolli punëtor u vendos mbi prodhimin e fabrikave. Ateizmi zëvendësoi zyrtarisht doktrinën e fesë. Opozita u shtyp me dhunë nga ÇEKA (policia politike). Brenda 4 viteve, 1918-1922, Lenini kishte eliminuar të gjithë kundërshtimin e organizuar dhe u kishte mbyllur gojën, me frikë a dhunë, fraksioneve armiqësore brenda partisë. Në fakt, Lenini kishte vendosur jo një diktaturë proletare, por diktaturë të Partisë Komuniste, e cila zotëroi hierarkinë sovjetike në të gjitha nivelet. Më 1922, Lenini pësoi një goditje në tru, dhe humbi aftësinë për të folur. Në një testament që kritikon Stalinin, shkruar në prag të vdekjes, Lenini rekomandoi heqjen e Stalinit nga posti i sekretarit të përgjithshëm të partisë. Por, pas vdekjes së Leninit – me fuqitë e shumta që Stalini kishte akumuluar – ky testament u mbajt i fshehur, dhe Stalini doli fitues në garën për postin e Leninit.
1925 – Republika e parë shqiptare: Ahmet Zogu thirri në Tiranë Asamblenë Kombëtare, mbi të cilën kontrolli i tij ishte thuajse i plotë, për të debatuar mbi miratimin e një kushtetute republikane. 62 nga 64 deputetë u bindën për të votuar në favor të një sistemi të tillë qeverisës. Kështu, Republika shqiptare u shpall, me Zogun si President, duke zëvendësuar Regjencën 4-anëtarëshe, e dalë nga Kongresi I Lushnjes (1920), e cila u shfuqizua.
1950 – Në Londër vdiq Eric Arthur Blair – emri i tij i penës, George Orwell – romancier dhe eseist, lindur në Bengal, Indi më 1905; shkolluar në Angli; shërbeu 7 vjet në Birmani për Policinë Mbretërore indiane; u kthye në Evropë dhe në vitin 1933 botoi librin e tij të parë, “Down and Out in Paris and London”, përshkrim autobiografik i viteve të varfërisë së vetë-detyruar. Më 1936 shkon në Luften e Spanjës për të shpëtuar republikën, por plagoset rëndë dhe kthehet në Londër. Orwell shkroi dhjetëra ese politike. Prirjet e tij, thuhet se ishin të majta. Por ai ishte kritik i mprehtë i imperializmit, fashizmit, kapitalizmit, dhe stalinizmit, të cilat i shihte, pa dallim, si forma të shtypjes politike. Veprat e tij shprehin shqetësim për kushtet sociale-politike të kohës, sidomos për liritë njerëzore. Libri “Animal Farm” (1946) është legjendë satirike mbi dështimin e stilit sovjetik të komunizmit, ku “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”; Por edhe libri “Nineteen Eighty – Four “ (1949) është një roman profetik që përshkruan dystofinë (e kundërta e utopisë), ku njerëzit shohin vetëm ëndrra të këqia, dhe de-humanizmin e njerëzve në një shtet të fuqishëm kapitalist totalisht të automatizuar, ku “Vëllai i madh po ju shikon”.
1977 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhimi Karter shpall amnisti për të gjithë ata amerikanë që i ishin shmangur rekrutimit gjatë luftës në Vietnam, disa prej të cilëve ishin strehuar në Kanada.
1999 – Lufta kundër Drogës: Kartelet e Drogës pësojnë humbjen më të madhe, kur Roja Bregdetare amerikane kap një anije me rreth 4 mijë e 300 kilogram kokainë në bord.
2006 – Vdiq Ibrahim Rugova -akademik, politikan, presidenti i parë i Kosovës; kur ishte 6 javësh (janar 1945) babai i tij dhe gjyshi u vranë nga forcat komuniste. Por ndryshe nga udhëheqës të tjerë të Ballkanit që zgjodhën luftën, Rugova përqafoi politikën e rezistencës paqësore në fushatën e tij për një Kosovë të pavarur, duke ndjekur shembullin e Mahatma Gandit dhe Martin Luter Kingut.
Me të folurën e tij të butë, i diplomuar në Sorbonne – dhe shallin e tij karakteristik – Rugova tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe shtypjes që u bëheshin shqiptarëve në Kosovë. Si kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partia e parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist, Rugova iu përgjigj valës së shtypjes dhe dhunës serbe me krijimin e pushtetit paralel në arsim, shëndetësisë dhe vendor; diaspora shqiptare në perëndim ndihmoi financiarisht në këtë drejtim.
Gjatë luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s, popullariteti i dr. Rugovës u zbeh. Por pas çlirimit të Kosovës, shumë gjëra kishin ndryshuar, përfshi e mendësitë; Rugova zgjidhet President në zgjedhjet e marsit 2002 duke fituar 58 për qind të votave. Disa javë më vonë, ai doli ballë për ballë me Millosheviçin, kur dha prova si dëshmitar në Hagë, në gjyqin për krime lufte ndaj ish-udhëheqësit jugosllav.