Barcelona ka fituar 2-1 kundër Atletico Madrid në “Vicente Calderon”. Kjo ka qenë fitorja e katërt radhazi në La Liga për skuadrën e Luis Enrique dhe ndeshja e shtatëmbëdhjetë radhazi pa pësuar humbje në kampionat.
Gjithashtu, me tri pikët e marra sot në fushën e bardhekuqve, katalanasit kanë marrë kreun e renditjes duke u ngjitur në kuotën e 54 pikëve, dy më shumë se Real Madrid dhe Sevilla. Por Real do të luajë sot në mbrëmje në fushën e Villarreal dhe ka një ndeshje për të rikuperuar me Celta Vigo.
Kanë qenë vendasit ata që kanë shkuar të parët afër golit në minutën e 16-të të pjesës së parë me Antonine Griezmann, goditja e të cilit brenda zonës së rreptësisë është devijuar në momentin e fundit nga mbrojtja mike. Shtata minuta para fundit të 45 minutave të para, Lionel Messi ka kërcënuar portën e Oblak me një goditje të bukur dënimi, që është ndalur nga një pritje po aq e bukur nga ana e portierit. Oblak i ka mohuar golin edhe Gerard Pique në minutën e 43-të, duke ndalur goditjen me kokë të mbrojtësit me një tjetër pritje të shkëlqyer. Pjesa e dytë ka filluar me dy raste të shpërdoruara nga Luis Suarez dhe Antoine Griezmann.
Takimi është zhbllokuar në minutën e 64-t nga miqtë, të cilët kanë kaluar në avantazh me një gol të Rafinha-s, që ka qenë në vendin e duhur, në momentin e duhur.
Por ky avantazh i katalanasve ka zgjatur vetëm shtatë minuta pasi vendasit janë kundërpërgjigjur me Diego Godin, i cili ka mposhtur me një goditje me kokë portierin ter Stegen dhe ka fiksuar shifrat në 1-1. Kur mendohej se ky rezultat do të mbetej i pandryshuar, ka ardhur goli i Leo Messi-t tri minuta para fundit.
Argjentinasi ka përfituar nga një rrëmujë në zonën e rreptësisë dhe ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të shpejtë. Ky ka qenë goli i tij i 20-të në La Liga dhe i 13-ti i realizuar në “Vicente Calderon”.
Tani fjala i kalon Real Madrid, që duhet të fitojë kundër Villarreal për të rimarrë kreun.