Franco Lerda, trajneri i Partizanit, ka dalë në konferencë për shtyp para ndeshjes me Kukësin. Ai ka analizuar kundërshtarin e radhës, si dhe ka folur për rivalët në kampionat. Italiani thekson se presioni është normal në një klub si Partizani, ndërkohë që vlerëson Kukësin dhe Tiranën për nga organika që kanë.
Mes të tjerave Lerda zbulon surprizat e kampionatit dhe i jep fund dilemave për lojtarin që do të luajë si mbrojtës i djathtë. Sa i takon gjendjes së Trashit, Solomon dhe Telushit, sot do të shikohet gjendja e tyre dhe do të vendoset nëse mund të luajnë nesër ndaj Kukësit ose jo.
PRESION PËR VENDIN E PARË – “Jo, jemi të qetë. Presioni, siç e kam thënë edhe më parë, është prezent për këdo që luan dhe drejton Partizanin. Bëhet fjalë për një ekip që dëshiron gjithmonë të fitojë. Duhet të ruajmë ekuilibrat”.
NDRYSHIMI TE PARTIZANI – “Kemi luajtur shumë ndeshje prej atëherë, kemi bërë shumë seanca stërvitore, minuta në këmbë. Tanimë kemi edhe një fizionomi në lojën tonë. Kondicioni fizik i lojtarëve është rritur, unë e njoh edhe më shumë kampionatin. Kemi bërë një ecuri normale, si në çdo kampionat”.
RIVALI KRYESOR PËR TITULL – “Mund të them se si organikë Kukësi e Tirana janë rivalët. Janë dy ekipet më të forta të kampionatit, bashkë me Partizanin. Por ka edhe ekipe të tjera, si Teuta dhe Bylisi që po bëjnë një paraqitje të mira. Gjithashtu edhe Vllaznia që është ngjitur nga Kategoria e Parë. Këto tre skuadra janë tre surprizat e mia që kur ka nisur kampionati”.
RËNDËSIA E FITORES – “Le të themi që pikët janë shumë të rëndësishme, pavarësisht fazës. Kjo ndeshje është e rëndësishme, pasi ata janë një ekip me nivel të lartë. Kanë lojtarë ekspertë dhe me kualitet, sidomos në repartin e avancuar. Për ne është një test i rëndësishëm me Kukësin, pasi jemi një skuadër e ndërtuar për të fituar. Vjen edhe fundi i tre ndeshjeve radhazi, kemi pasur pak ditë në dispozicion. Sot vendosim se kush do të luajë”.
LOJTARËT ME PROBLEME -“Do të shohim sot dhe do të vlerësojmë gjendjen e tyre fizike, si të Solomon, Trashit dhe të Telushit”.
NGJESHJA NË RENDITJE – “Nuk mund të them nëse do të vazhdojë apo jo kjo ngjeshje në renditje. Mendoj se skuadra si Bylisi dhe Vllaznia po bëjnë kampionat pozitive, kanë shumë entuziazëm dhe mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat në vijim”.