Aktualitet Letra e babait të Alvinit për shtetin shqiptar: Më ndihmoni ta kthejmë...

Letra e babait të Alvinit për shtetin shqiptar: Më ndihmoni ta kthejmë në shtëpi, i plagosur e ka nevojë për mjekim

Afrim Berisha, babai i djalit 11-vjeçar të mbetur në një kamp të Sirisë ka një apel për institucionet shqiptare.

Përmes një letre të bërë publike në portalin “Shqiptari i Italisë” nga avokati i tij Darien Levani, Berisha kërkon ndihmë për të mundësuar kthimin në shtëpi të djalit të tij që prej 5 vjetësh qëndron mes luftës në Siri.

Në këtë letër babai i Berishës thotë se i biri është i plagosur dhe ka nevojë për mjekim urgjent: “Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.”

Rasti i Alvinit tërhoqi shumë vëmendje pasi u transmetua në emisionin investigativ italian ‘Le Iene’. Prej 5 vitesh, Afrim Berisha nuk reshti duke kërkuar djalin e tij, prej të cilit ka marrë vetëm një letër në të cilën i shkruante se e kishte marrë malli dhe donte të kthehej  pranë babait. Gruaja e tij Valbona, e kishte ndarë djalin nga babai dhe dy motrat e tij më të rritura për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri. Alvin u gjet i gjallë  në një kamp në Siri dhe babai i tij arriti ta takonte falë përpjekjeve të stafit të emisionit. Por Afrim Berisha nuk mundi ta merrte dot djalin me vete, për shkak se duhej ndërhyrja nga institucionet shqiptare.

Më herët, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, tha se qeveria është angazhuar maksimalisht për të arritur objektivat, por përsëriti se nuk mund të fliste gjatë për çështje sensitive si kjo. Sipas tij kjo çështje shkon përtej diplomacisë.

LETRA

Alvin Berisha është një fëmijë shqiptar i cili aktualisht ndodhet në Siri pranë kampit Al Hawl.

Në vitin 2014, kur ishte vetëm 5 vjeç, Alvini është çuar në Siri nga e ëma, pa dijeninë e babait. I ati, Afrim Berisha, nuk ka kaluar ditë pa e kërkuar. As lufta, as frika, as largësia, as pengesa ekonomike e as ISIS nuk e kanë ndaluar, me bindjen e me dashurinë që vetëm një baba mund të ketë. Pas pesë vitesh, në 25 shtator 2019, e ka gjetur Alvinin në kamp, e ka përqafuar fort dhe i ka premtuar që tani nuk do ndaheshin më. Por forcat kurde që ruajnë kampin nuk e kanë lejuar që ta marrë me vete, sepse për këtë duhet që aprovimi të kërkohet dhe të merret nga shteti shqiptar.

Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.

Institucionet kompetente shqiptare janë në dijeni të kësaj situate dhe po punojnë për të mundësuar kthimin e tij në Shqipëri. Kemi besim të plotë tek puna që po bëjnë si për Alvinin, si për të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë që ndodhen aktualisht në Siri. Kemi besim dhe shpresë që nëse të gjithë bëjnë punën e tyre, Alvini do kthehet së shpejti. Por jemi edhe të shqetësuar, sepse lufta në Siri po ashpërsohet dhe koha nuk premton. Në Al Hawl ndodhen plot 73.000 veta që jetojnë në një situatë të tmerrshme, e kjo na tremb. Nëse sot e bëjmë dhimbjen tonë publike, e bëjmë këtë vetëm për t’ju lutur kujtdo mund të na ndihmojë, që të na ndihmojë: duke punuar më shpejt, duke na dhënë informacione mbi gjendjen e Alvinit, duke na mbështetur qoftë edhe me një fjalë të mirë.

Sot lutemi e kërkojmë ndihmë. Nesër, larg qoftë i ndodh diçka Alvinit, do kërkojmë llogari.

Me respekt

Afrim Berisha

Avv. Darien Levani

Celulari shqiptar: 00355 06933447510

Celulari italian: 0039 3295327386

Mail: [email protected]