Kryesore Pas kritikave nga SHBA, Franca jep një tjetër arsye: E kishim me...

Pas kritikave nga SHBA, Franca jep një tjetër arsye: E kishim me Reformën në Drejtësi

Emmanuel Macron

Pas kritikave nga drejtuesit europianë, por edhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Drejtori aktual për Europën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës Frédéric Mondoloni ka dhënë një tjetër arsye për refuzimin e Francës.

Zyrtari francez thotë se Parisi do t’i hapte në mënyrë të menjëhershme negociatat me Shqipërinë nëse çohet deri në fund Reforma në Drejtësi.

Në një intervistë me “European Western Balkans”, ai thotë se presidenti Emmanuel Macron nuk është kundër nisjes së bisedimeve, por kërkon qe Shkupi dhe Tirana të plotësojnë kushtet.

“Franca është pro-hapjes së negociatave, por ne kemi nevojë të përmbushen dy kushte. Për Maqedoninë e Veriut një nga çështjet problematike është funksionimi i Prokurorisë Speciale, dhe për Shqipërinë është implementimi i reformës në drejtësi. Këto janë çështje shumë të rëndësishme për Francën”, thotë Mondoloni.

Frédéric Mondoloni

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme Franceze shton se Parisi dëshiron që çështjet shumë të rëndësishme, si sundimi i ligjit në Shqipëri dhe pavarësia e mediave të nisin të zgjidhen para negociatave.

Fyerje ndaj Macron

Presidenti Macron tha dje në një konferencë për shtyp se Shqipëria ka bërë përparime, por se nuk ishin të mjaftueshme. “Të mos gënjejmë veten”, u shpreh presidenti.

Gjatë mbrëmjes të së enjtes, udhëheqësit e BE u mbyllën duke diskutuar për Shkupin dhe Tiranën për më shumë se 4 orë, por ashtu siç tha edhe Macron nuk është gjetur një qasje e përbashkët.

“Debati ka qenë shumë i ashpër me shumë liderë që ishin mbledhur rreth Macron”, tha një diplomat tjetër i BE-së për “Politico”.

Hapja e negociatave duket se ishte kthyer në një çështje thellësisht personale për disa liderë nga Europa Qendrore dhe Lindore. Ata raportohet se i janë drejtuar Macron me “fyerje personale” duke bërë që ky i fundit të braktisë mbledhjen.