Babai i Adolf Hitler ishte autoritar, merrej shumë me politikë, e mendonte veten më të zgjuar se të tjerët dhe pati një impakt të madh mbi djalin e tij. Këto janë përfundimet që ka nxjerrë një historian gjerman, nga leximi i disa letrave të papublikuara më parë.
Roman Sandgruber, profesor “emeritus” në Universitetin e Linzit, Austri, ka lexuar 31 letra në të cilat tregohet korrespondenca që Alois Hitler mbante me një person i cili i kishte shitur një fermë në vitin 1895, kur Adolf ishte rreth 6 vjeç.
Sandgruber argumenton se, pavarësisht që Alois konsiderohet gjerësisht si një fshatar i thjeshtë që rriste bletë dhe rrinte në tavernë, në fakt ai ishte një personazh shumë më i ndërlikuar dhe i mbrapshtë, i cili e konsideronte veten si më të mençur nga të tjerët.
Sandgruber thotë se përmes letrave ka zbuluar që Alois rriste bletë sepse kështu mund të bëhej fermer “xhentëllmen” ndërsa në tavernë rrinte pasi aty diskutohej politika. Ai ishte autoritar në familje dhe kundërshtonte pushtetin e kishës, sidomos në politikë.
Shumë nga këto karakteristika u trashëguan te djali i tij i dytë, Adolf, i cili – edhe pse sillej si një adoleshent rebel – u ndikua shumë nga babai, thotë Sandgruber. Kërkimet e tij, historiani i ka përmbledhur në një libër të quajtur “Babai i Hitlerit: Si u bë djali i tij diktator?”.
Alois lindi në Strones, Austri, vitin 1837. Në atë kohë mbante mbiemrin Schicklgruber, si djali jashtë martese i një gruaje fshatare të quajtur Maria Schicklgruber. Kur ishte 9 vjeç, mamaja vdiq dhe ai u rrit nga vëllai i njerkut të tij, Johann Hiedler, një fermer.
Pas një karrierë të shkurtër si këpucar, Alois u rekrutua në ushtri si oficer doganor, ku punoi për 40 vite duke u bërë edhe inspektor. Ai u martua tri herë. Fillimisht në vitin 1873, me Anna Glasl-Hörer, e bija e një kolegu, që ishte 14 vite më e re se ai. Pasi u ndanë, ai u martua me Franziska Matzelsberger, 24 vite më e re, dhe lindi me të vëllain e madh të Adolf-it, Alois Jr. Franziska vdiq për shkak të kancerit në mushkri. Më pas ai u martua me 24-vjeçaren Klara Polzl, që ishte edhe mamaja e Adolf Hitler, dhe punonte prej 8 vitesh në shtëpinë e tij si shërbyese.
Sandgruber pretendon se përmbajtja e këtyre letrave e ka bërë të rivlerësojë edhe figurën e Klarës, e cila deri tani shihej si një shtëpiake e nënshkruar. Në një prej letrave, Alois Hitler thotë se Klara kishte “egon dhe botëkuptimin e duhur për të mbajtur ekonominë e shtëpisë”.
Familja Hitler lëvizi shumë për shkak të karrierës të babait, duke ndryshuar 18 herë banesë në 18 vitet e para të jetë së Adolfit. Sandgruber thotë se në dy nga këto shtëpi, në Urfahr, pranë qytetit austriak Linz, Hitleri u njoh për herë të parë me antisemitizmin, pasi familja e tij i mori me qira këto banesa nga “hebrenjtë më të pasur në qytet”.
Në një intervistë për “Der Spiegel”, ai thotë: “Ai ishte një baba tmerrësisht autoritar dhe gjithashtu e rrihte të birin. Kjo ishte një gjë e zakonshme për kohën, por ka shumë gjasa që Alois Hitler ta shkelte masën”.
Ndëshkimet kundrejt Adolfit duket se u shtuan kur djali i madh i familjes u largua dhe më vonë u arrestua sepse ishte hajdut. Në letrat e babait të Hitlerit, historiani Sandgruber dallon një shkrim dore thuajse identik, një shenjë që Adolf e kopjonte të atin në çdo gjë. I vetmi rast kur ai u rebelua kundër të atit ishte kur refuzoi të bëhej nëpunës civil, por i tha se do të bëhej artist, thotë Sandgruber.
Pas katër dekadash si doganier, Alois doli në pension dhe jetoi në Hafeld, Austri, ku, duke përdorur paratë e bashkëshortes Klara, bleu një fermë prej 8 hektarësh nga një ndërtues rrugësh të quajtur Josef Radlegger, me të cilin ruajti korrespondencë.
Megjithatë, disa vite më vonë, Alois u detyrua ta shiste pronën, pasi iu refuzua një hua nga banka. Një pasardhëse e Josef Radlegger gjeti letrat që stërgjyshi i saj kishte këmbyer për Alois Hitler dhe ia dorëzoi historianit, i cili i studio për pesë vite para se të botonte librin. “Këto gjetje na japin një këndvështrim krejt tjetër të fëmijërisë së Adolf Hitler dhe babait të tij”, tha Sandgruber.