Përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Leyla Moses-Ones u shpreh në inaugurimin e ndërtesës “Poli i Drejtësisë” se procesi i vetting-ut po funksionin. Duke folur përpara të pranishmëve në godinën e re të institucioneve të drejtësisë që ngrihen me reformën në drejtësi, Moses-Ones tha se mungesa e Gjykatave tregon se procesi i rivlerësimit ka funksionuar dhe nga drejtësia janë larguar njerëzit e korruptuar.
“Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve”, tha përfaqësuesja e SHBA.
Ajo shprehu vendosmërinë e SHBA-së për t’i qëndruar në krah Shqipërisë gjatë këtij procesi.
“Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj”, deklaroi Leyla Moses-Ones.
Ndërkohë, shefja e ONM-së, Ruiz Calavera një pjesë të fjalimit ia kushtoi magjistratëve të rinj të Shqipërisë.
“Do të jetë përkushtimi juaj që do të përcaktojë suksesin e reformës”, iu drejtua Calavera prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, si dhe atyre që do të bëhen pjesë e sistemit.
“Të jeni magjistrat do të thotë të keni një mision, t’i shërbeni Shqipërisë. Çdo vendim që do të merreni do të ndikojë jo vetëm karrierën tuaj, por të ardhmen e Shqipërisë”, theksoi ajo.
Poli i ri i Drejtësisë do të shërbejë si godinë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës.