Dhjetëra libra të rrallë të autorëve rusë janë zhdukur nga Varshava në Paris. Policia po heton se kush po i merr dhe pse – një histori me para, gjeopolitikë, falsifikatorë dinak dhe siguri të dobët të bibliotekave.
Dhjetëra libra unikë rusë me një vlerë totale që i tejkalon 2.6 milionë dollarë, përfshirë disa vepra të poetit Aleksandër Pushkin, janë vjedhur nga bibliotekat në të gjithë Europën që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë në vitin 2022, raporton New York Times.
Një nga vjedhjet e para raportohet në prill 2022 në bibliotekën e Universitetit të Tartu në Estoni, ku u morën disa vëllime të shekullit XIX që përmbanin shkrimet e Pushkinit (1799-1837) dhe Nikolai Gogolit (1809-1852).
Katër muaj më vonë, një inventar vjetor rutinë në bibliotekë zbuloi se tetë libra të tjerë ishin zhdukur dhe zëvendësuar me kopje të një cilësie aq të lartë saqë vetëm ekspertët mund ta bënin dallimin.
Incidente të ngjashme që përfshijnë libra të rrallë rusë me vlerë dhjetëra deri në qindra mijëra dollarë janë raportuar në bibliotekat kryesore në të gjithë Europën, duke përfshirë Bibliotekën Kombëtare të Letonisë, Bibliotekën Shtetërore të Berlinit, Bibliotekën Kombëtare të Finlandës dhe Bibliotekën Kombëtare të Francës. Biblioteka e Universitetit të Varshavës ishte rasti më flagrant, sepse sipas Europolit, ka 78 libra të humbur.
Në shumicën e rasteve, librat janë zëvendësuar me faksimile me cilësi të lartë që imitojnë madje edhe shenjat e kohës mbi origjinalet, çka të bën të dyshosh për një operacion të sofistikuar.
Bibliotekat janë objektiva të lehta pasi ato shpesh janë të pafinancuara dhe u mungon siguria, tha për NYT Pierre-Yves Guillemet, tregtar në Londër i specializuar për libra të rrallë rusë.
“Është e lehtë t’i marrësh librat, është e lehtë të dish se cilët libra duhet të marrësh dhe është e lehtë të dish vlerën,” shpjegoi ai.
Sanksionet perëndimore i ndalojnë tregtarët e BE-së që t’u shesin libra të rrallë rusëve, duke nxitur operacione në hije të cilat janë të vështira për t’u gjurmuar, vë në dukje NYT. Megjithatë, librat e vjedhur rusë nuk ka gjasa të shfaqen në ankandet zyrtare perëndimore, sipas Guillemet.
Një njësi speciale e policisë franceze që lufton vjedhjet e objekteve kulturore po mbikëqyr hetimin në Francë dhe po koordinon hetime më të zgjeruara në të gjithë Europën. Nëntë persona janë arrestuar në lidhje deri tani.
Dyshimet e autoriteteve franceze janë për një përpjekje të Rusisë për të riatdhesuar vepra origjinale.