Nga Pandeli Majko*
Revolta e studentëve para pak kohësh ngriti disa pyetje lidhur me lidershipin në shoqërinë tonë. A jemi të aftë të prodhojmë lider? Dhe, pse liderët na tradhëtojnë rrugës së pushtetit?
Në mesin e shoqërisë ka gjithmonë një sektor të gjerë i cili ka nevojë për një udhëheqës “shpirtëror” i cili quhet lider.
Lideri është një produkt inteligjence. Aplikimi i liderit në politikë përbën një debat të vështirë jo vetëm për shoqërinë shqiptare. Në esencë debati për “liderin” është tregues i nivelit të vetë shoqërisë dhe i marrëdhënies së saj me lirinë.
Qenia njerëzore ecën në luginën e jetës së vet duke pasur në një krah instiktet e mbijetesës dhe në krahun tjetër qëllimet e engjëjve. Pranimi i liderit ndihmon në në shpejgimin e vetes dhe të asaj që dëshiron nga politika dhe politikanët.
Mësimet e historisë sado të “vjetra” fshehin dhe aplikimet e së resë. Kur flasim për politikën dhe marrdhënien e saj me historinë kuptojmë se jemi duke diskutuar për të diturat e panjohura.
Liderit në politikë që nga koha e Risheljesë i mungon struktura morale e fesë. Kjo, jo si pasojë e dëshirës por se qeverisja dhe lidershipi janë të përkohshëm. Ata shoqërohen gjerësisht me justifikimin intelektual i cili mospërmbushjen e keqinterpreton si pragmatizëm dhe pakujdesinë e pabarazisë e konsideron edhe liberalizëm.
Mënyrat e veprimit të liderit në politikë është produkt i mendimit intelektual. Gjerësisht, ai është një prishës i të ashtuquajturit stabilitet i një shoqërie të caktuar. Rusoi ishte simbol këtij antikonformizmi. Ai e rishpiku politikën duke shpallur shtetin “baba” dhe qytetarin “fëmijë”. Eshtë e vështirë të hysh në materien e lidershipit në shoqërinë e sotme moderne pa kaluar nga “stacioni” i parimit të Rusoit se “kush kontrollon mendimet e njerëzve, kontrollon veprimet e tyre”.
Anarkizmi i Rusoit krijoji të drejtën e “popullit që bën ligjin…” dhe politikën si prodhuese të gjithshkasë.
Nuk është sekret fakti që politika është streha e njerzve me dështime në jetën akademike apo personale, të cilët vetëkultivojnë dëshirën për të cuditur publikun. Tek lideri i koheve të sotme vërehet aftësia për të shpallur të vertetën se sa interesi për ta gjetur atë. Marksi ishte një nga prodhimet më të mira të kohës së vet në këtë drejtim. Ai ishte marka e drejtuesve politikë ku intuita mbizotëron karshi arsyetimit. Vizionet e tij ishin biblike, me raportet e Mesisë dhe proletariatit. Komunistët e kundërshtuan fenë megjithëse morën “borxh” nga ajo mënyrën e organizimit të partisë së tyre dhe inkuzicionin e luftës së klasave.
Një intelektual tjetër si Henrik Ibsen ishte modeli që frymëzoi revoltën e individit kundër rregjimit të vjetër të tabuve dhe statuskuosë sociale. Predikimi i tij “Duhet të jeni vetvetja” ishte tentativa intelektuale për ta kthyer brishtësinë e karakterit në një burim force. Njëlloj si Tolstoi, ai e urrente sistemin parlamentar si të korruptuar dhe shumicën e konsideronte “injorante”… Ai arriti deri ne deklarata të tipit “Shteti duhet shfuqizuar”… Ibsen ishte i fiksuar pas “pakicës së ndricuar” të cilën më vonë Lenini e quajti “pararoja” kurse Hitleri i nominoi si “flamurtarët”.
Liderët e fortë funksionojnë në shoqëri problematike dhe pa vendimarrje. Shpesh statusi moral i liderit varet nga mënyra e të treguarit të ngjarjeve dhe veprimeve që kanë ndodhur. Ai shpesh ushqen bindjen se e vërteta shkon në shërbim të “unit” të tij. Raste ekstreme tregojnë se Hitleri, vec konceptit skenografik në politikën e partisë së tij shpiku edhe teknikën e ndricimit natën në të.
Rregulli intelektual për liderët e fortë është urrejtja që ata përcojnë. Ata, pas urrejtjes ndaj stauskuosë sociale fshehin një ndjenjë më autentike. Ajo është frika.
Hemingueji dhe si populistët e sotëm të europës ishte përfaqësuesi më genuin i bindjes se kishte trashëguar një botë false të mbizotëruar nga kultura e prindërve dhe e cila duhej të zëvendësohej nga një botë që ti përshtatej të vërtetës.
Liderët e fortë nuk e pranojnë veten si produkt të takimit të rastësisë me domosdoshmërinë. Ata në shumicë nuk ja kanë idenë e mekanizmave që përcaktojnë ngjarjet historike. Edhe kur mbajnë “ditar” ky është më shumë një justifikim për atë që u ka ndodhur. Fundi i liderit, si rregull, mbaron me faktin se i vetem nuk është i mjaftueshëm.
Bertold Breht ripërcaktoi modelin e intelektualit drejtues. Ai është një shpejgues i mirë i liderit që preferon idetë para njerzve duke i parë këta të fundit si “instrumenta”. Kamy dhe Oruelli kishin mendim të kundërt me të.
Për të kuptuar liderin dhe raportin e tij me publikun duhet pranuar se opinioni i tij intelektual nuk është abstraksion por i lidhur me karakterin e individit. Sjellja publike dhe jeta private e liderit nuk janë të ndara pasi ato shpejgojnë njëra tjetrën. Rreziku i liderit në politikë është egocentrizmi dhe identifikimim i moralit me interesat e tij personale.
Të dashur miq
Ka një debat të hapur sot për statusin e liderit në shoqëri. Ai gjerësisht lidhet me aftësitë e individit “lider” patur parasysh mungesat e tij intelektuale. Oruelli na ka lënë për këtë temë një shprehje të frikshme me shumë kontekste. Ajo është: “Eshtë e tmershme që njerëz kaq injorantë të kenë kaq shumë ndikim”
Mendoj se “lideri” është përfaqësues i një gjendje shpirtërore në shoqëri dhe dëshirës intelektuale për tu identifikuar me të rinjtë.
Ecja e liderit është një ecje midis dy botëve, asaj të ndërgjegjes dhe asaj së privilegjit. Lideri, shpesh, është nënprodukt i mendimit të Sartrit i cili e konceptoi rebelin si natyrë dhe jo si kauzë. Tema se pa rebelizëm nuk ka lider, është një cështje e hapur. Thënia e Viktor Hygo në këtë proces qëndron thelbësore. Ajo është se: “Asgjë nuk është më e fortë se një ide për të cilën janë pjekur kohët”.
Ana tjetër e medaljes është mësimi se nga të gjitha despotizmat në shoqërinë njerëzore, tirania e ideve ka qenë më e pamëshirshmja. Idetë në politikë kanë anën mizore. Ato kërkojnë në një fazë të veprimit të tyre detyrimin e përshtatjes së njerzve me to. Këtu fillon diskutimi më i madh për politikën dhe lidershipin. Ai është tema e mungesës së ndjeshmërisë për të vërtetat tokësore të cilat kundërshtojnë argumentat e idesë politike.
Njohja e rregullave të përgjithshme për tu bërë “lider” në kushtet e sotme sjell deformime. Ka shumë që mendojnë se të qenit “lider” është si të mësosh një libër apo të bësh një kurs trajnimi. Ky këndvështrim është i rrezikshëm. Ai të nxit të bëhesh një individ në kërkim të sensacionales ose e thënë ndryshe një përpjekje për të mbetur “pararoja” e ndricuar. Tundimi i dritave të skenës politike është narkotizues.
Dhuna në histori ka ushtruar efekte të forta tek lideri si pjesë e “zgjidhjes rrënjësore” e cila nxit formimin e liderit të fortë. Ajo është e bazuar në dashurinë e publikut për njerzit e veprimit. Musolini dhe Hitleri kanë pasur përkrahës dhe admirues në qarqet intelektuale dhe universitare gjatë ngjitjes së tyre në pushtet. Sukseset zgjedhore të Hitlerit tek masa studentore bënte diferencë nga ajo me masën tjetër të popullsisë. Të njëjtin fenomen mund ta ndeshësh tek Stalini, Kastro apo Enver Hoxha.
Ka një debat intelektual midis Oruellit dhe Odenit për poezinë e këtij të fundit me titullin “Spanja” botuar në mars 1937. Ajo ka një varg të trishtë për “Pranimin me ndërgjegje i fajit për vrasjen e nevojshme”.
Sindroma e “vrasjes së nevojshme”, është sot raporti më i rëndësishëm intelektual i liderit me idetë që përcjell në publik. Dhuna dhe inxhinieria sociale kanë qenë dhe janë një sfidë atraktive e liderëve të politikës.
Miq
Do tu lutesha të kuptonit se vetëlavdërimi më i rrezikshëm është ai që të carmatos me ciltërsinë e jashtme dhe pranimin e fajit. Unë nuk jam duke bërë këtë.
Ajo që po përpiqem të shpejgoj janë lidhja e rrethanave, për ndërvarësinë e të vjetrës dhe të resë, në politikë, me fenomenin “lider”. Të mësuarit nga gabimet është më shumë se i rëndësishëm. Shpejgimi i “liderit” në shoqëri nuk është pasojë e një leksioni standart.
Doktrina e lidershipit është një këshillë në njohjen e vetes dhe të shoqërisë që kërkon aplikimin e liderit.
Shoqëria shqiptare po njeh veten në marrdhënien me lirinë. Ajo po nxit energji të panjohura më parë por edhe pritshmëri. Këto të fundit mund të na vrasin qëllimet si pasojë e moskuptimit dhe paaftësisë për të interpretuar kohën të cilën jetojmë.
Një nga parrullat më emocionuese të lëvizjve studentore në histori ishte ajo e studentëve të Sorbonës. Parrulla ishte: “Ndalohet të ndalosh”!
Në Shqipëri sapo pati një Lëvizje Studentore. Ajo ishte thuajse një mrekulli me raportin që vendosi me shoqërine shqiptare. Por, ajo ishte aq atipike pasi nuk kishte drejtues të përvecëm. Ishte e para lëvizje në terrenin shqiptar pa “lider”…
Ajo lëvizje vdiq! Jetoi aq sa mund të jetojë një lule e celur në stinën e gabuar. Mbi varrin e saj, pa emër lideri, ne jemi një shoqëri që duhet tja pohojmë vetes humbjen që patëm nga kjo lindje e parakohshme.
Si shkrimtarët e brezit të humbur dikur, ata na lanë pas kumtin e dëshpërimit më të bukur që një brez mund ti lërë një shoqërie bipolare si kjo e jona.
Shoqëria jonë është e mbytur nga politika në televizion dhe rrjetet sociale me një mosngopje cilësore për gjestet se sa për fjalët.
Të lodhur nga dhuna dhe fyerja cdokush ka arsye të kujtojë me nostalgji atë masë studentësh në Tiranë që ironizoni aq bukur politikën. Ata, na vranë pa dhunë, sic vret vetëm dhembshuria. Na ndryshuan, pa e ditur, sa të nevojshëm ishin. Sigurisht!
*Fjala e mbajtur në takimin e LEAP-in (Leadership Development Association Albania & Kosova) Tiranë 23 shkurt 2019