Bota është mahnitur nga lidhja e dy të rinjve, të cilët pavarësisht se nuk dinin gjuhën e njëri-tjetrit arritën të mbanin gjallë dashurinë e tyre.
Ata kanë përdorur Google Translate për t’u kuptuar pasi ranë në dashuri me shikim të parë.
Chloe Smith, 23 vjeçe, nga Wolverhampton në Britani dhe Daniele Marisco, 25 vjeç, nga Napoli në Itali, u takuan për herë të parë në një klub nate në Ibiza dy vjet më parë.
Ata jo vetëm që mezi e dëgjonin njëri-tjetrin për shkak të muzikës së lartë, por nuk flisnin asnjë fjalë në të njëjtën gjuhë.
Pasi ranë në dashuri me shikim të parë, ata shpejt kuptuan se mund të komunikonin përmes “Google Translate” dhe videos me titra.
Tani që jetojnë së bashku në Streatham në jug të Londrës – ku Chloe është make-up artist dhe Daniele barist në një lokal italian – ata kanë mësuar të flasin si italishten ashtu edhe anglishten për të siguruar që marrëdhënia e tyre të zgjasë. Çifti e përmirësoi aftësinë e tyre gjuhësore thjesht duke folur me njëri-tjetrin dhe nuk kishte nevojë të merrte ndonjë mësim shtesë.