Ekonomi Ligj të ri për tokat e “7501”. Nisma e Braçes për të...

Ligj të ri për tokat e “7501”. Nisma e Braçes për të lehtësuar 9 mijë familje fermerësh

Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite që kur u shpërndanë tokat me ligjin 7501 dhe atë për ndarjen e tokës se ish-ndërmarrjeve bujqësore, gjysma e titujve të pronësisë nuk janë të regjistruar në hipotekë.

“Janë 400 mijë akte të marrjes së tokës në pronësi dhënë fermerëve, regjistruar në zyrën e regjistrimi të pasurive të paluajtshme janë rreth 50% e tyre”, tha Ermira Gjeçi, zv.ministre bujqësisë.

Ndërkohë rreth 9 mijë fermerë të tjerë kanë probleme për të marrë aktin e tokës në përdorim. Për t`i dhënë zgjidhje një pjesë të problematikës mazhoranca miratoi në komisionin e veprimtarive prodhuese dy projekt-ligje të propozuara nga deputeti Erion Braçe që lehtësojnë marrjen e dokumetacionit për familjet që nuk pajisen dot aktin e marrjen së tokës në përdorim.

Por, për ish ministrin e bujqësisë Edmond Panariti çështja duhet trajtuar me kujdes, dhe nisma të jetë e mirëmenduar pasi mund të lindin konflikte.

“Bëni shumë kujdes, mos fusni duar në një proces i cili mund të gjererojë konflikte të panumërta, mund të krijojë konflikte sociale dhe mos e çoni procesin në mënyrë të sforcuar kur ai vuan nga parregullsi”, tha Panariti,  deputet LSI.

Në thelb dy ligjet lejojnë ata fermerë që janë shpërngulur në vitet 90 nga një vendbanim në tjetrin pa u regjistruar në zyrat e gjendjes civile të marrin aktet e tokës në përdorim. Po ashtu verifikimi i titujve të tokës bujqësore u shty deri ne fund të 2019.