Nis shqyrtimi i padisë për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Shoqata e Autonomisë Vendore, e drejtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, kërkon që të jetë palë në proces, por Presidenca është kundër kësaj kërkese.
Elira Kokona, përfaqësuese e qeverisë, ka kërkuar që Voltana Ademi të mos jetë përfaqësuese e Shoqatës së Bashkive. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes derisa Gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuese të Shoqatës së Bashkive: “Kërkojmë pushimin e gjykimit, pasi Gjykatës Kushtetuese i mungon legjitimiteti i kërkuesit”.
Avokati Jordan Daci tha: “Pala që pretendon mungesë legjitimiteti duhet të paraqesë dokumente”.
Gjykata shqyrtoi kërkesat paraprake dhe rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullim të gjykimit deri në zgjidhjen e konfliktit të titullarit të Shoqatës së Bashkive. Qeveria kërkoi gjithashtu pushimin e gjykimit nën argumentin se kërkuesi nuk ka legjitimitet. Për këtë kërkesë, gjykata nënvizoi se vendimin do ta jap në fund të procesit gjyqësor, duke legjitimuar indirekt Voltana Ademin si palë paditëse.
Qeveria kërkoi gjithashtu edhe kohë për t’u njohur dokumente që lidhen me statutin e shoqatës së bashkive dhe Gjykata Kushtetuese vendosi t’i japë 60 minuta kohë.
Gjykata rrëzoi gjithashtu edhe kërkesën e Shoqatës për Autonomi Vendore, e drejtuar nga Erion Veliaj, për të qenë palë në proces, nën argumentin se kërkesa nuk ishte e saktë nga përmbajtja dhe jashtë afateve proceduriale.