Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Liridon Pula, është lënë në burg nga Gjykata e Durrësit këtë të premte. Ai u arrestua më 1 tetor, pasi akuzohet për shpërdorim detyre, si i dyshuar për abuzime me regjistrimin e pronave.
Në seancë ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili e quajti këtë vendim një akt të paprecedent. Ai akuzoi prokurorin e çështjes Arjan Ndoja se “ka ushtruar presion ndaj punonjësve për të tjera objekte, duke përdorur çështjen në fjalë”. Pula akuzohet për një objekt i cili ka marrë leje zhvillimi dhe leje ndërtimi.
Një ditë më para, nga foltorja e Kuvendit, ndonëse nuk përmendi emra, Kryeministri Edi Rama tha se “një prokuror në Durrës është i lidhur me bandat e krimit”.
Dosja për të cilën prangosi zyrtarët më të lartë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës ka të bëjë me regjistrimin e një sipërfaqe toke prej 123 metra katror dhe truall 500 metra në zonën e plazhit. Nga hetimet ka rezultuar se legalizimi dhe regjistrimi kësaj prone në emër të dy shtetasve, edhe këta të fundit shpallur në kërkim, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara.
Për të njëjtën dosje, më herët u arrestua edhe nëndrejtori i Kadastrës Arben Isaku, më herët drejtor i ALUIZNI-t, nëndrejtoresha e të njëjtin institucion, Lusiena Kola, si dhe dy specialistë, të cilët aktualisht po hetohen në gjendje të lirë. Ndërkaq në kërkim policor për të njëjtën vepër penale është shpallur edhe Flamur Gjuzi, i cili mbante postin e drejtorit të ALUIZNI-t para Isakut.