Trajneri i ri i Juventusit dashuron skemën 4-3-3 dhe posedimin e topit. Revolucioni i Andrea Pirlos do të nisë nga mesfusha dhe nga Ronaldo
Si do të luajë Juventus i Andrea Pirlo? Kjo është pyetja, që të gjithë po shtrojnë tani, por është e pamundur të përgjigjen. Ne ju kemi folur për idetë e Pirlos, qasjet taktike që ai ka në mendje. Por, nga këndvështrimi praktik, gjithçka do të jetë e re. Ekziston vetëm një siguri në këtë drejtim, në idetë e lojës së Pirlos te Juventusi: Cristiano Ronaldo do të duhet të vihet në kushtet më të mira për ta shfrytëzuar sa më shumë atë. Ish-mesfushori është një tifoz i madh i CR7, çka e ka përsëritur disa herë.
Disa muaj më parë, duke biseduar me Fabio Cannavaro në Instagram, Pirlo foli në këtë mënyrë për Ronaldon dhe Juventusin: “Duhet thellësi në mesfushë, mbështetje për Ronaldon. Duhet gjetur një mënyrë për ta nxitur atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ish-shokët e mi të skuadrës më thonë se Ronaldo është një profesionist serioz dhe shembullor”.
Ide shumë të qarta në këtë drejtim për Pirlon, i cili si ish-mesfushor e di mirë se mesfusha është thelbësore për të bërë që edhe sulmuesit të luajnë më mirë. Deri disa javë më parë, pra, trajneri aktual i Juventusit, si spektator, nuk ishte aspak i kënaqur me mesfushën e Juventusit. Nëse do të ishte një pakënaqësi me emrat e mesfushës së Juventusit, mund të korrigjohet në merkato. Nga ana tjetër, Kulusevski dhe Arthur tashmë janë blerë. Me sa duket, menaxhmenti bardhezi e kuptoi që mesfusha duhej të integrohej cilësisht.
Por, padyshim do të jetë çështje e stilit të lojës dhe e prirjes në posedimin e topit. Gjithashtu, në “live” direkt me Cannavaro në Instagram, Pirlo foli kështu për lojën e tij të mundshme si trajner: “Referenca ime si trajner? Kjo do të varet nga lojtarët, por unë pëlqej modulin 4-3-3, me posedim të shkëlqyeshëm të topit. Sigurisht, duhet të kesh lojtarët e duhur në dispozicion. Nëse u kupton se ata nuk mund të luajnë në këtë mënyrë, duhet të përshtatesh, për t’i bërë ata të luajnë në një mënyrë tjetër”.
Trajneri aktual i Juventusit do të kërkojë një mënyrë për të përmirësuar cilësitë e Cristiano Ronaldos. Gjatë vitit të parë të portugezit, me Allegri në pankinë, pas ndeshjes Roma-Juventus, Pirlo e komentoi kështu skuadrën bardhezi: “Massimiliano Allegri e bleu Ronaldon gjatë verës për të shënuar gola, por nuk e kupton se nuk ka njeri, në gjendje t’i japë atij topat që dëshiron”. Isco është një emër, që Pirlo do të donte për Juventusin e tij. “Për të fituar Champions-in ju duhet dikush si Isco. Çelësi është në qendër të fushës. Ju morët Ronaldon, por duhet të gjeni mënyrën më të mirë për ta shfrytëzuar (vënë në punë) atë”, – tha Pirlo, pas eliminimit të Juventusit, sezonin e kaluar, kundër Ajax.
Por jo vetëm mesfusha. Për ta bërë Ronaldon të performojë në maksimumin e tij, portugezit i duhet një lloj sulmuesi i caktuar në anën e tij. Gjithashtu, në të kaluarën e afërt, Pirlo kishte lavdëruar Higuain dhe e kishte shenjtëruar atë si parnterin ideal të Ronaldos: “Ai është partneri më i mirë për Ronaldon. Si te Juventusi, edhe në Milano, Gonzalo shënon, ndihmon, di të luajë për ekipin. Ai është i përsosur për Juven, por edhe të tjerët”.
“Pipita”, megjithatë, është drejt largimit. Ky mund të ketë qenë viti i fundit si lojtar i Juventusit. Sidoqoftë, edhe nëse nuk do të ikë argjentinasi, Pirlo ka kuptuar që Ronaldo ka nevojë për një sulmues me karakteristikat e tij. Një sulmues i vërtetë i parë, i cili di të menaxhojë topin dhe të lirojë hapësirat qendrore për kampionin portugez. Juventusi i Andrea Pirlos është duke lindur, tani për tani në mendjen e tij, pastaj do ta shohim në fushë. Me Ronaldon protagonist absolut.