Nën presionin e krizës ekonomike, status quo-ja e ngurtë politike në Turqi po ndryshon – dhe opozita dikur e frustruar duket se ofron një mundësi.
Nga Sezin Oney / BIRN / Stamboll
Peizazhi politik i Turqisë dikur krahasohej me një skenë të ngrirë nga Epoka e Akullit. Në të gjithë spektrin politik, sjellja e votimit dukej e mbyllur në një status quo ku vazhdonte hegjemonia e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan, AKP, dhe Aleancës së saj Popullore me Partinë për Veprim Nacionalist, MHP.
Ndërkohë, Aleanca Kombëtare e opozitës kryesore, e përbërë zyrtarisht nga Partia Republikane Popullore e qendrës së majtë, CHP, dhe Partia nacionaliste IYI, së bashku me partnerët e tyre të vegjël, partinë konservatore Felicity dhe partitë Demokratike të qendrës së djathtë, dukeshin të mbërthyer në një ngërç.
Edhe ata nuk kanë mundur të rrisin votat e tyre. Disa parti të themeluara së fundmi, si Demokraci dhe Ndërmarrje e qendrës së djathtë, dhe Ardhmëria, qëndruan në rreth 1-2 për qind të votave.
Përqindja e votuesve të pavendosur dhe protestues ishte rritur në rreth 20 për qind, pothuajse duke përbërë një parti opozitare në vetvete.
Por këta votues të pasigurt dukeshin krejtësisht të pa interesuar për të zgjedhur një parti, siç treguan intervistat që unë realizova në 2019 dhe 2020. Në përgjithësi, balanca e pushtetit mbeti e mbyllur në një peizazh politik të ngrirë.
Por më pas, këtë vjeshtë, kriza ekonomike filloi t’i zhysë dhëmbët më thellë dhe e gjithë popullata filloi t’i ndjente efektet e saj. Të gjithë panë që statusi i tyre ekonomik të rrëshqiste me një klasë, klasa e mesme u bë e ulët dhe klasat e larta ranë në ato të mesme.
Kriza gërryen mbështetjen e partisë në pushtet
Rezultati i drejtpërdrejtë i kësaj është rënia e mbështetjes për AKP-në në rreth 30 përqind.
Partia ka rënë dukshëm me rreth 10 pikë nga ditët e saj të lavdisë në zgjedhjet e përgjithshme të 2018, kur fitoi 42.56 për qind të votave.
Me votat e pavendosura të shpërndara në mënyrë të barabartë në të gjitha partitë, një sondazh i fundit nga TEAM e vendos AKP-në në 34.6 për qind. Shtimi i votave për MHP-së e sjell Aleancën Popullore në pushtet në një total prej rreth 44 për qind.
Sipas të njëjtit sondazh të TEAM, të kryer në nëntor, Aleanca Kombëtare është afër me 40 për qind; me CHP-n që merr 28 për qind dhe IYU 12 për qind.
Kjo e lë Partinë Demokratike Popullore pro-kurde, HDP, në një pozicion të rëndësishëm për të ndryshuar gjërat, duke pasur parasysh mbështetjen e saj të heshtur për Aleancën Kombëtare në opozitë.
Sipas hulumtimit të TEAM, mbështetja e HDP-së shkon në 11.1 për qind. Ndërsa CHP po ngrohet ndaj idesë për të bashkëpunuar hapur me HDP-në, IYI më nacionalist nguron të jetë kaq e hapur. Prandaj, aleanca mbetet e heshtur.
Ndërkohë, një “sondazh i sondazheve” e rendit Aleancën Kombëtare pak përpara me rreth 40 për qind dhe Aleancën Popullore pak më pas, me 39 për qind. Edhe një herë, 11 për qind e HDP-së e anon ekuilibrin drejt Aleancës Kombëtare, por asgjë nuk është e thënë.
Zgjedhjet e parakohshme mund të mos vijnë së shpejti
Pyetja më përhapur tani në Turqi është nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Zgjedhjet e parakohshme në 2022 mbeten të pamundura. Kjo është kryesisht për shkak të krizës ekonomike. Rënia e vlerës së lirës dhe rritja e çmimeve të mallrave godet të gjithë ata që nuk paguhen në valutë të huaj.
Nëse AKP do të donte zgjedhje të parakohshme, ajo do t’i mbante menjëherë. Në fund të fundit, AKP dhe lideri i saj, presidenti Rexhep Tajip Erdogan, varen nga fitoret e zgjedhjeve për legjitimitetin dhe hegjemoninë e tyre.
Që nga referendumi i vitit 2010, turqit kanë votuar 13 herë. Mesatarisht, votuesit shkuan në qendrat e votimit çdo 10 muaj.
Pas referendumit të 2010-ës, erdhën zgjedhjet e përgjithshme në 2011, zgjedhjet presidenciale dhe lokale në 2014, dy zgjedhje të përgjithshme në 2015, një tjetër referendum në 2017, zgjedhjet e përgjithshme dhe presidenciale në 2018, dhe zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përsëritura për kryebashkiakun e Stambollit në 2019.
Nëse nuk janë organizuar më shumë votime që nga viti 2019, kjo është për shkak se AKP nuk mund të jetë e sigurt se do të sigurojë një shumicë të plotë. Përkeqësimi i krizës ekonomike e bën edhe më të pamundur që zgjedhjet të rezultojnë në fitoren e partisë në pushtet.
Megjithatë, qeveria po bën gjithçka që mundet. Rritja e pagës minimale, pensioneve dhe pagave për burokracinë janë truket e fundit të qeverisë.
A do të mund të bëhet për vete elektorati me rritjen modeste të pagave zyrtare? Kjo duket e pamundur. Inflacioni me rritje të shpejtë do të gërryejë rritjet e vogla të pagave. Por AKP është e bindur për të kundërtën dhe mbetet e sigurt se “modeli i saj ekonomik” i bazuar në norma të ulëta interesi dhe një vlerë më të ulët të lirës do të nxisë eksportet, prodhimin dhe rritjen.
Pyetja e dytë politike më popullore sot në Turqi ka të bëjë me faktin se kush do të jetë kandidati për president nga ana e opozitës.
Kreu i CHP, Kemal Kılıçdaroglu e lakmon qartë postin. Dëshira e tij për t’u bërë president është që të “normalizojë” sistemin aktual nga një presidencë e gjithëfuqishme, duke i kthyer gjërat në një sistem më parlamentar.
Por ai duket më pak i popullarizuar si një kandidat i mundshëm në krahasim me emra të tjerë, si kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Ankarasë Mansur Yavas dhe drejtuesja e IYI Meral Aksener.
Dhe pastaj është edhe çështja kryesore. Nëse një kandidat presidencial me origjinë alevi si Kılıçdaroglu mund të fitojë kundër Erdoganit. Në fund të fundit, Erdogan është mjeshtër për polarizimin e vendit duke gjallëruar armiqësi sociale dhe fetare.
Ndryshimet po ndodhin nën sipërfaqe
Bekir Agırdır, kreu i agjencisë së sondazheve KONDA, e krahason Turqinë me një liqen të ngrirë. Në pamje të parë, asgjë nuk ndryshon në sipërfaqe dhe gjithçka është gjithmonë e njëjtë. Por, duke reflektuar mbi të dhënat e tyre, ai argumenton se nën sipërfaqen statike, po formohet një jetë e re socio-politike e gjallë.
Me fjalë të tjera, në “liqenin e ngrirë” politik po krijohen çarje dhe akulli po shkrin dhe shkrin ngadalë.
Dhe pastaj, sigurisht, ndryshimi dhe transformimi i prioriteteve në mbarë botën prek edhe Turqinë.
Në këtë kontekst, hulumtimi në “Perceptimet dhe ndërgjegjësimi për të drejtat e njeriut” i kryer në Turqi nga KONDA për organizatën suedeze të të drejtave të njeriut Civil Rights Defenders, CRD, ofron të dhëna interesante rreth psikikës aktuale publike.
Ashtu si në pjesën tjetër të botës, në Turqi po dalin në pah problemet që kanë lidhje me gruan dhe identitetin seksual, si dhe barazinë dhe rininë. Në sondazhin e KONDA-s, “gratë” zënë vendin e parë (45 për qind) si grupi shoqëror, të drejtat e të cilave janë shkelur më shumë.
“Të varfrit” vijnë të dytët me 30 për qind dhe kurdët vijnë të tretët me 20 për qind. “Të rinjtë” vijnë në vendin e katërt me 19 për qind.
Ndërsa axhenda publike ndryshon, dhe gjithnjë e më shumë turq i kthejnë shpinën polarizimit të vjetër mes “fetareve dhe laikeve”, ose mes “konservatorëve kundër kemalistëve”, dëshira e tyre për një lloj të ri politike rritet njëkohësisht.
Pra, epoka politike e akullnajave e Turqisë po përfundon me një shkrirje.
Por ka ende shumë pyetje. Është ende e diskutueshme, për shembull, nëse, dhe si, shenjat e jetës së re dhe dëshirat për ndryshim që formohen nën shtresën e akullit e shkrijnë plotësisht akullin. Akulli mund të trashet përsëri dhe të ngrijë jetën e re që formohet poshtë.