Ish-presidenti meksikan Enrique Peña Nieto ka marrë një ryshfet prej 100 milionë dollarë nga karteli i drogës “Sinaloa” që drejtohej nga Joaquín “El Chapo” Guzmán.
Kjo është dëshmia tronditëse që është bërë në gjyqin për bosin meksikan të narkotikëve në Nju Jork.
Alex Cifuentes, i cili thotë se ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Guzmán për vite me radhë, i tha gjykatës se kishte dijeni për ryshfetin në vitin 2016.
Peña Nieto shërbeu si president i Meksikës nga 2012 në 2018. Sipas gazetarëve në gjykatën e Bruklinit, Peña Nieto kishte kërkuar 250 milion dollarë para se të binin dakord për 100 milion.
Cifuentes pretendoi se dorëzimi ishte bërë në Mexico City në tetor 2012 nga një mik i El Chapos.
Cifuentes, një nëpunës kolumbian i drogës i cili e ka përshkruar veten si “krahu i djathtë” i El Chapo, ka punuar si sekretar i tij dhe ka kaluar dy vjet duke u fshehur nga autoritetet në malet meksikane, sipas prokurorëve.
Ai u arrestua në Meksikë më 2013 dhe u ekstradua më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku ai u deklarua fajtor për trafikun e drogës në një marrëveshje me prokurorët.
Ndërkohë, Peña Nieto nuk i është përgjigjur pretendimeve të dëshmitarit, por ka hedhur poshtë më parë akuzat për korrupsion që kanë dalë në sipërfaqe gjatë gjykimit që filloi në nëntor.
“El Chapo”, 61 vjeç, është në gjyq në Bruklin që nga nëntori pasi u ekstradua nga Meksika për t’u përballur me akuzat për trafikim të kokainës, heroinës dhe drogave të tjera si udhëheqës i atij që SHBA e quajti karteli më i madh i drogës në botë.