Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike ka provokuar si rrallëherë debate të shumta.
Basha nuk përfshiu asnjë prej kritikëve të tij, ndërkohë që mënjanoi dhe disa prej emrave të vjetër në partinë e tij.
Në listat e Bashës, bënë bujë mungesa e emrit të Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Ridvan Bodes, Arben Imamit dhe Majlinda Bregut. Kjo e fundit së bashku me Eduard Selamin, ishin ndër zërat më të fortë kritikë ndaj Bashës për strategjinë e ndjekur prej tij muajt e fundit.
Po ashtu jashtë janë lënë dhe emra që aktualisht janë në strukturat drejtuese të PD, dhe që ishin zgjedhur nga vetë Basha, si bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.
Por si e komentojnë analistët listën e Bashës që duket si një lëvizje për t’i vënë vulën “Basha” Partisë Demokratike.
I pari që komentoi listën e Bashës ishte Blendi Fevziu.
Fevziu thotë se Basha ka bërë spastrim më drastik pas atij të vitit 1992 brenda partisë, duke i dhënë fund një epoke të PD-së.
Duke rreshtuar emrat që nuk bënin pjesë në listë, Fevziu shkruan në analizë për opinion.al, se një kriter i vetëm nuk i klasifikon dot të gjithë, sepse biografia, sjellja politike apo angazhimet e tyre janë shumë të ndryshme dhe dallojnë nga njëri-tjetrit.
Ndërkohë që e vë theksin se Basha ka nisur ndërtimin e një partie të re, që sot.
“Ajo që i bashkon është të mos qenit pjesë e PD që Basha ndërtoi në këto vite dhe as pjesë e të besuarve të tij. Basha e deklaroi vetë pas publikimit të listave, se ai është mbështetur tek ata që besojnë republikën e re, duke lënë të kuptohet se kriter ka qenë qëndrimi në 90 ditët e protestës dhe jo karriera politike, historia në parti apo opozita parlamentare. Këtë qëndrim ai e kishte paralajmëruar edhe gjatë një fjalimi në çadër, kur deklaroi se protesta në bulevard kishte qenë më e suksesshme se sa opozita parlamentare 3 vjeçare. Basha ka nisur ndërtimin e një partie të re, që sot. Me listat, ai ka bërë edhe ndarjen zyrtare me partinë e drejtuar, në të mirë e në të keq nga Sali Berisha”, shkruan Fevziu.
Mjaft i ashpër me listën e Bashës është analisti Andi Bushati.
Për Bushatin, Basha me propozimet për qeverinë tregoi se nuk mund të shkojë më larg sesa klientela e qeverisë së vjetër Berisha, dhë në këtë mënyrë nuk mund të surprizonte me profilin e ardhshëm të grupit parlamentar.
Bushati në një analizë për lapsi.al thotë se pastrimi i listave nga Topalli, Bode, Imami, Ruli, Patozi që përbënin kupolën drejtuese të qeverisjes 8-vjeçare 2005-2013 duket si një përpjekje për distancim nga e shkuara, por kjo përpjekje sipas Bushati rrëzohet nga futja e emrit të Sali Berishës në listë.
Duke ngritur pyetjen se pse Basha përjashtoi gardën e vjetër, por edhe kritikuesit e tij, Bushati shkruan se “përgjigjja imediate e saj është e thjeshtë. Kreu i PD ka hequr qafe të gjithë ata që do t’i kërkonin llogari për disfatën e sigurtë të 25 qershorit.
Po të shkohet më tej: kjo listë nuk është asgjë më shumë sesa përdhosja e fabulës mashtruese të republikës së re. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, sepse ajo është vazhda e një logjike të kastës së vjetër që e detyroi Bashën të bënte një marrëveshje të turpshme me Ramën dhe të propozonte për ministra (atëherë kur iu dha rasti të konturonte fizionominë e një PD-je tjetër) figura të konsumuara nga qeverisja e Berishës”.
Ndërsa gazetari Andi Bejtja, që është i njohur për qëndrime pozitive ndaj Lulzim Bashës ka qenë tejet i hidhur sot ndaj kreut të PD-së.
Ai i ka konsideruar ato listat e një njeriu që bëhet gati për të humbur dhe i ka parë përjashtimet e emrave të njohur si hakmarrjen e panevojshme të një Konti Montekristoje të panevojshëm.
“Teksa shikoj listën e deputetëve të PD-së që do përballen në 25 qershor, me vjen vetvetiu në mendje viti 2005 kur ish lideri i PD Berisha u kujdes të bënte një listë sa më gjithëpërfshirëse. Madje shkoi aq larg sa përfshiu në lista dhe të ashtëquajturit armiq te tij, deri dhe ata qe kishin hipur në tanke në ‘97. Ishte një liste fitoreje. Sot kemi një listë ku është e pamundur të dallohen kriteret, ku shikohet që lëviz dora hakmarrëse e një Konti Montemontekristoje, e një Konti që hakmerret pa arsye, sepse askush nuk i ka bërë asgjë në të kaluarën, as e ka futur në burg as i ka marrë të dashurën. Boh, e pakuptueshme po kjo nuk është një listë fitoreje…”, shkruan Betja.
Nga ana tjetër, Mentor Nazarko, në një analizë për Konica.al, thotë se Basha ka treguar arrogancë duke mos futur në listë rivalët e tij, diçka që sipas Nazarkos “dhe mund ta shmangte, por në këtë imitim të Berishës, ai ka njëfarë të drejte”.
Oferta e madhe që ai mori prej Ramës, justifikon ashpërsinë e tij, për të cilën u kritikua prej tyre (Topallit, Bregut, Patozit, Selamit). Pra ai mund të justifikohet se vendosmëria i dha të drejtë atij dhe jo kundërshtarëve. Por mbyllja e karrierës së tyre, befas është akt i ashpër, që e dëften Bashën si lider jotolerant.
Në listë nuk janë futur emrat e ministrave “teknikë”, tregues indirekt i marrëveshjes me Berishën: po i jap pushtet ekzekutiv njerëzve të tu, por listën e bëj vetë në njëfarë mënyre, pavarësisht se deputetët e vjetër të rikonfirmuar janë të Berishës gjithashtu.
Listë e Bashës, jo shkëlqyese, por më së shumti e tij. Është një humbje e pjesshme e shansit që në një fushatë joagresive si ajo, kur po flitet për koalicion PD-PS, të mund të afirmoheshin akoma më shumë se kaq sa po shohim figura me profil publik, me formim akademik perëndimor, me rezonim më të gjerë në shoqëri, edhe tek pjesa e moderuar, tek rinia, etj”, shkruan Nazarko.
Mero Baze, kritik i hershëm i Lulzim Bashës, i analizon listat ndryshe nga të tjerët.
Baze thotë se Basha nuk po heq të vjetrit nga PD, por hoqi këdo që nuk i pëlqente më Berishës nga të vjetrit.
Duke kritikuar si të paaftë emrat e rinj të Bashës, ku Baze merr si shembull si Valentina Dukën dhe djalin e Fahri Balliut, botuesi i gazetës TemA shkruan se “të heqësh njerëz nga lista dhe t’i zëvendësosh ata me vlera të reja është reformizëm. Por të heqësh vlera e t’i zëvendësosh me plehra, është më e pakta pazar batakçinjsh, që e kanë politikën biznes. Është e vetmja gjë që mund të thuhet se Lulzim Basha ka bërë me këto lista. PD nuk është parti private. Edhe Sali Berisha që e trajton si pronë private, di ta maskojë pronësinë, duke respektuar historinë e saj. Ajo është parti që ka vrarë dhe është vrarë këto 27 vjet, dhe ka një peshë të rëndë në historinë tonë. Lulzim Basha është një shkumë deti që rri sipër saj, duke peshkuar ç’të mundi, pa pikë mëshire.
Halli i tij real duket se është rizgjedhja në krye të PD, dhe mendon se duke pasur pas vetes disa humbës besnikë, do të dalë fitimtar. Është një listë, që ai mendon se do ta mbrojë Lulzim Bashën, nga Partia Demokratike”.
Ndërsa Dritan Hila në një analizë për dritare.net, thotë se nuk kemi pse kërkojmë shenjtin apo revolucionarin tek Basha, pasi ai po përpiqet të mbijetojë në një terren ku bullizmi politik është modë
“Shqiptarët i kërkuan Bashës të bënte republikë të re, e ti dilte kundër botës pa thyer një vazo me lule, ashtu si grekët u zhgënjyen nga Tsipras pse ky nuk refuzoi Gjermaninë pa prekur kontot e tyre bankare. Të kuptohemi, Basha nuk është Tsipras. Madje Tsiprasit shqiptarë ndryshojnë rrugës sepse nisen për majtas dhe përfundojnë në qendër, nisen në luftë dhe përfundojnë në restorant, nisen kundër sistemit dhe përfundojnë duke bërë allishverishe me bizneset. Ndaj nuk kemi pse kërkojmë shenjtin apo revolucionarin tek Basha. Ai po përpiqet të mbijetojë në një terren ku bullizmi politik është modë. Nëse do të kishte një meritë ky grup parlamentar që ka iniciuar, është bërthama e një të djathte moderne, me fytyra paqësore, pa atavizmat e antikomunizmit të harruara gjithandej në Evropë, dhe me shpresë që të bëhet një parti populiste. Nëse do ja dalë apo jo, këtë e presim në 25 qershor dhe 4 vjetët që vijnë. Llogarinë do ta paguajë gjithmonë Lulzim Basha”, përfundon Hila analizën e tij.
/AMERICAN EYE