Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi këtë të mërkurë dënimin me 2 vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Vendimi në fjalë përfshin po ashtu edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike dhe konfiskim të pasurisë.
Por Adriatik Llalla duket se është larguar nga Shqipëria.
Referuar burimeve të policisë, News 24 mëson se ish-prokurori Llalla është larguar nga Shqipëria javët e fundit. Po sipas të njëjtave burime, destinacioni i tij i parë, duke të jetë Turqia dhe nuk dihet nëse është larguar prej andej.
Avokati i ish-kryeprokurorit, Sokol Hazizaj, tha në një prononcim për mediat në përfundim të procesit, se Adriatik Llalla është në regjim spitalor, por pa përcaktuar vendndodhjen e tij.
Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish-kryeprokurorit mund të shpallet mandat-arresti e urdhër-kërkimi ndërkombëtar.