Aktualitet Lleshaj për Dajtin: Dyshoj se gjyqtarët kanë marrë para

Lleshaj për Dajtin: Dyshoj se gjyqtarët kanë marrë para

Ministri Lleshaj komentoi pak ditë më parë vendimin e gjykatës ndaj Dritan Dajtit, i cili i shpëtoi burgut përjetë, duke thënë se gjyqtarët e kanë vendin pas hekurave.

Ministri Lleshaj u shpreh në A2 CNN, se nuk mund të pajtohet kurrsesi me atë vendim. Ai tha se nuk ka informacion se ndaj gjyqtarëve ka pasur shantazh, ndërsa tha se dyshon se kanë marrë para.

“Gjatë këtyre muajve në detyrë kam takuar familjet e policëve të vrarë në detyrë. 224 veta në periudhën e demokracisë. Mbi 400 fëmijë janë jetim. Kam konstatuar se ne i kemi një borxh të madh atyre familjeve.

Nuk mund të pajtohem kurrsesi që të shpërfilli vendimin. Nuk e di si e kanë dhënë këtë vendim. Ajo që thash ishte një opinion. Vendimi ishte i pakuptueshëm. Ne kemi premtuar se autorëve të vrasjes së policëve duhet të japin shpjegime. Imunitet nuk duhet të ketë askush. Nuk kam informacion se këta gjyqtarë kanë pasur presion nga asnjë krah”.

Si mund të vendoset drejtësia për Dajtin?

“E para, është apeli, e dyta është kërkesa e ministrisë së Drejtësisë për të filluar hetimin administrativ, por ka edhe masa të tjera. Nuk ka pasur shantazh ndaj gjyqtarëve, ndoshta kanë marrë para”, tha ministri.