Kryesore Lobimi në SHBA, Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj Bashës

Lobimi në SHBA, Gjykata e Tiranës pushon çështjen ndaj Bashës

Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në lidhje me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria e kishte marrë nën hetim Bashën dhe dy zyrtarë të tjerë të PD, pasi sipas saj kishte gjetur elementë të veprave penale “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Prokuroria pretendonte se kishte një mospërputhje mes deklarimeve zyrtare të bëra nga PD dhe shpenzimeve reale.

Sipas prokurorisë, PD ka deklaruar vetëm shumën prej 25 000 dollarësh, dhe nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 000 dollarësh. “Nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD. Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade”, pretendonte Prokuroria e Tiranës.

Në qershor të vitit të kaluar, Basha ishte paraqitur në Prokurori për t’u marrë në pyetje. Ai e quajti akuzën të montuar në zyrën e Kryeministrit Rama. “Nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë rus, asnjë transaksion parash…”, do të shprehej Basha.

Halimi: Ishte sajesë, Prokuroria bëri gjueti shtrigash

Eduart Halimi, një prej avokatëve të Partisë Demokratike në çështjen e lobimit në SHBA, tha se vendimi i Gjykatës për ta pushuar çështjen, ishte një vendim drejtësie

“U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërçipërisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale. Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër”, tha Halimi.

“U vërtetua katërçipërisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për t’u përshëndetur. Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj Partisë Demokratike”, shtoi ai.