“Ndoshta lojtarët nuk i interpretojnë mirë disa gjëra”, tha Quique Setien në sallën e konferencave për shtyp pas humbjes 2-0 në “Mestalla” ndaj Valencias.
Një frazë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga futbollistët e Barcelonës, edhe pse trajneri i ri i ekipit shtoi se “ndoshta edhe ne si staf nuk po shpjegohemi mirë”.
Një krizë mes trajnerit dhe lojtarëve që bëhet e rëndë po të mendosh se Setien ka vetëm dy javë në stolin katalanas. Në asnjë prej 3 ndeshjeve të luajtura nuk ka bindur. Fitoi 1-0 ndaj Granadës, në një ndeshje ku Barça dha 1005 pasime, por shënoi vetëm një gol pasi Granada mbeti me 10 lojtarë; fitoi 2-1 ndaj modestëve të Ibizës në Kupë dhe humbi 2-0 në testin e parë të vërtetë ndaj Valencias.
Dhe tani, deklarata se lojtarët nuk po i interpretojnë mirë disa gjëra. Sipas mediave sportive spanjolle, futbollistët mendojnë se ekipit i mungon loja në thellësi dhe vertikalizimet dhe nuk ka të bëjë me interpretimet jo të mira të supozuara nga Setien.
Dy ndeshjet e radhës për Barcelonën janë në Kupën e Mbretit ndaj Leganes dhe në kampionat ndaj Levante.