Bota Londra: Rusia ka humbur më shumë trupa në Ukrainë sesa në 10...

Londra: Rusia ka humbur më shumë trupa në Ukrainë sesa në 10 vite luftë në Afganistan

Nje tank rus i shkaterruar ne Ukraine

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka deklaruar se Rusia ka humbur në fushatën ushtarake në Ukrainë, 15 000 trupa në vetëm 9 javë.

“Vlerësimi ynë është se rreth 15 000 trupa ruse janë vrarë gjatë ofensivës së tyre”, tha Wallace.

Deklarata e tij është lëshuar nga ambasada britanike në SHBA. Po sipas tij, një e katërta e grupeve të batalioneve taktike nuk janë më në gjendje luftimi.

Shifra merr kuptim politik të madh sepse vihet në relacion me vlerësimet e një lufte tjetër të drejtuar nga Moska, ajo e Afganistanit, më 1979-1989, e ku thuhet se humbën jetën 14 500 trupa sovjetike. Nëse konfirmohet dështimi i Rusisë në këtë konflikt, të paktën në aspektin ushtarak dhe të drejtimit është kolosal.

Wallace ka shtuar se Ministria ruse e Mbrojtjes ka dështuar në komandimin dhe kontrollin e të gjitha niveleve, çka shpjegon rishikimin e objektivave të ofensivës fillestare. Sekretari britanik shkon më tej me shifrat kur deklaron se Ukraina ka kapur 2000 mjete të blinduara, nga të cilat 530 tanke dhe ka asgjësuar 60 helikopterë dhe avionë gjuajtës.