Pasi kanë dëgjuar më shumë se 200 orë dëshmi, pasi kanë lexuar kuti të tëra me dokumente, anëtarët e jurisë në gjyqin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Joaquin Guzman, ka marrë vendimin përfundimtar duke e shpallur atë fajtor dhe e pret dënimi me burgim të përjetshëm.
Jurisë në një gjykatë federale në Bruklin i janë dashur 34 orë diskutime përgjatë gjashtë ditëve, për të dalë në këtë përfundim. El Chapo është shpallur fajtor për 10 akuza që Prokuroria kishte ngritur kundër tij, duke e konsideruar edhe si kreun e kartelit të Sinaloas.
Mes personave të pranishëm në gjykatë në momentin e vendit ishte edhe gruaja e tij bukuroshe, Emma Coronel Aispuro.
Sapo u lexua dhe u përkthye verdikti, ai u kthye nga 29-vjeçarja, ish-mbretëreshë bukurie, dhe i “fryu” një puthje me dorë. Ajo buzëqeshi në përgjigje dhe me lot në sy, i ngriti lart gishtin e madh.
Ata janë martuar që kur ajo ishte 18 vjeç. I shoqi i saj nuk shfaqi emocione kur u lexua dhe u përkthye verdikti.
61-vjeçari u arrestua në janar 2016 pasi ishte arratisur nga burgu përmes një tuneli nëntokësor pesë muaj më parë.
Joaquin Guzman e nisi karrierën kriminale si një kultivues kanabisi ndërsa pasuria e tij në momentin e arrestimit vlerësohet të ketë qenë 14 miliardë dollarë.
Ai do të mbahet mend për dy arratisjet spektakolare nga burgu në Meksikë, ndërsa në janar 2017 u ekstradua në SHBA ku ka qëndruar në izolim, në pritje të gjykimit.