Politika LSI sulmon Bashën: Vegël e Ramës, kryemashtrues dhe gënjeshtar

LSI sulmon Bashën: Vegël e Ramës, kryemashtrues dhe gënjeshtar

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se mes dy partive më të mëdha të opozitës PD dhe LSI ka një luftë të hapur. Nisi nga një deklaratë e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi se përpara zgjedhjeve të 25 prillit “i ishin ofruar LSI-së 15 deputetë të sigurt në një listë të përbashkët, por ajo refuzoi sepse parashikonte të fitonte e vetme 34 të tillë”.

Kjo nuk u përtyp aspak mirë nga partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi që në Facebook e quajti mashtrim dhe akuzoi Bashën se kishte gënjyer kur dogjën mandatet e deputetëve se kishte mbështetjen e PPE dhe Angela Merkel.

Vetë Basha bëri akuza të forta ndaj presidentit Ilir Meta këtë të premte një intervistë për Zërin e Amerikës se ishte ai që shkatërroi fushatën e LSI-së me qëndrimet e tij në 2 javët e fundit të saj.

“Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës” – tha Basha.

I menjëhershëm ishte reagimi i LSI. Nënkryetari i saj Petrit Vasili ka bërë një shkrim të gjatë në Facebook ku e quan Bashën krye-gënjeshtar dhe krye-mashtrues.

“Kryegënjeshtari ka gënjyer në mënyrë të pacipë për 4 vjet rresht, që nga 17 maji i 2017 ku u ul në tavolinë falë LSI dhe ku menjëherë më pas u shndërrua në zorrën qorre dhe vegël të Edi Ramës dhe ku e sulmoi LSI-në në zgjedhjet e 2017 me çdo mjet e bile më shumë se Rama vetë” – shkruan nënkryetari i LSI.

Vasili thotë se Basha e preu në besë LSI-në, duke akuzuar se u gënjyen nga kreu i PD për djegien e mandateve se “kishte një “plan gjerman”, braktisjen e zgjedhjeve lokale, bllokimin e bashkive apo mungesën e kërkesës për pjesëmarrje në zgjedhje lokale në tetor 2019.

Vasili shkruan se Basha i këshilluar nga kompania izraelite, që i dha Edi Rama koordinoi me izraelitët e Ramës për të dëmtuar LSI me çdo formë e çdo mënyrë.

Sipas tij, kreu i PD me porosi të Edi Ramës nuk mbështeti kurrë publikisht denoncimet shumë të rënda të inceneratorëve të bëra nga LSI, ndërsa sipas tij, LSI me luajalitet ka mbështetur çdo denoncim për korrupsion të bërë nga PD.