Kuriozitete Një pemë që jep 10 lloje frutash

Një pemë që jep 10 lloje frutash

Mësuesi Hussam Saraf në Australi ka shartuar një pemë dhe tani ajo ka 10 lloje të ndryshme frutash. Saraf thotë se pema e tij rekord është një metaforë për mënyrën se si ai e sheh botën.

“I pashë të gjitha shartimet që vendosa në atë pemë, ishte si një shartim për të bashkuar kulturat dhe krijuar një kulturë të re tek pemët frutore”, thotë Saraf.

“Është natyra që na ka bashkuar të gjithëve. Nuk ka rëndësi se sa të ndryshëm jemi në ngjyrë, kulturë apo traditë, ne jemi një dhe mund ta respektojmë njëri-tjetrin si një”.

Sarafi ka vendosur dhe rekordin botëror Guinness për numrin e llojeve të frutave në një pemë të vetme. Ndërsa pema e tij jep 10 lloje frutash në total, rekordi i tij është për pesë specie të ndryshme.

Në fillim, ai u barazua me Luis H. Carrasco nga Kili, i cili mbajti rekordin për dy dekada. Por kur ai vuri në dukje se Guinness kishte numëruar gabimisht nektarinat dhe pjeshkët e Carrasco-s të lidhura ngushtë si dy fruta të veçanta, duke e reduktuar totalin e tij në katër lloje të ndryshme, Guinness i dha titullin Saraf.

Pema e Sarafit përmban nektarinë të bardhë, nektarinë të verdhë, pjeshkë të bardhë, pjeshkë të verdhë, kajsi, bajame, qershi, kumbulla të kuqe dhe kumbulla normale.

Disa nga frutat lulëzojnë vetëm, dhe të tjerët njëkohësisht. Por ai thotë se pema shfaq gjithmonë një grup të bukur ngjyrash.

“Kopshti im është tërheqës për të gjitha bletët e mira, fluturat e mira, të gjitha gjërat e mira”, tha ai.

Saraf thotë se fillimisht i mësoi bazat e shartimit të pemëve frutore në shkollë në Irak kur ishte shumë i vogël, duke punuar me lloje të ndryshme fiku.

“Unë i kaloja pushimet e mia në fermat e gjyshërve të mi dhe fermat e fqinjëve të tyre. Atje ata rritin shumë ushqime dhe mbledhin perime dhe është bërë një lloj pasion, një hobi”.

Ky hobi ka ‘lulëzuar’ në Australi, ku ai ka rritur një kopsht në oborrin e shtëpisë plot me bimë dhe prodhime të rralla nga e gjithë bota. Ai shpesh herë hap dyert për publikun për të parë dhe fotografuar, si dhe ua shet mallrat e tij australianëve që kërkojnë një shumëllojshmëri jashtë asaj që mund të gjejnë në dyqane.

Ai madje ka ftuar studentë nga shkolla e tij për të mësuar disa teknika shartimi.

“Ne u përpoqëm t’i mësojmë gjeneratës së re diçka që ata mund të bënin për të ndihmuar me ndryshimin e klimës dhe për të bërë diçka më të mirë për të ardhmen tonë”, tha ai.