Dënimi i Saimir Tahirit duket se ka nxjerrë në sipërfaqe edhe “luftën e ftohtë” mes dy ish-ministrave të Brendshëm të qeverisë Rama. Në gjykatën e Krimeve të Rënda, Saimir Tahiri e thumboi indirekt Fatmir Xhafajn kur u shpreh se “këtu ka ministra që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit unë të mbaj përgjegjësi për vëllezërit e atij që i shita makinën”, tha Tahiri për rastin që i ka shitur makinën Artan Habilajt, ndërkohë që vëllai i tij Mojsi Habilaj akuzohet dhe gjykohet si kryetar i një bande të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.
I pyetur sot lidhur me deklaratat e ambasadës së SHBA dhe asaj Britanike, si dhe qëndrimin e ish-ministrit Fatmir Xhafaj që shprehte pëlqimin për këto deklarata, Saimir Tahiri u përgjigj: “Do vijë dita që unë të kem një përgjigje për të gjitha këto. Nuk dua të abuzoj me asgjë dhe të bëj komente. Të jesh e bindur që unë e di shumë mirë kë kam rrotull, nuk jam nga ata që nuk e di”.
Tahiri pati edhe një mesazh për analistët që sipas tij kanë shfryer fantazinë: “Ka shumë qytetarë që sot më besojnë. Ka plot të tjerë që s’më besojnë dhe as do më besojnë kurrë me gjasë. I falenderoj dhe gazetarët, analistët dhe komentatorët që nuk janë kursyer. Ju them të gjithë prisni, bëni durim, prisni! Në këtë vend që duket sikur parimet vlejnë pak, në këtë vend mund të bëhet dhe ndryshe dhe Shqipëria e fëmijëve të mi nuk mund të jetë kjo. Unë do vazhdoj ta bëj këtë betejë“.