Polonia ka paralajmëruar për një përshkallëzim “të armatosur” të konfliktit që përfshin migrantët e grumbulluar pranë kufirit me Bjellorusinë, ndërsa komuniteti botëror reagoi ndaj krizës më të fundit të emigrantëve në Europë.
Rreth 12,000 trupa polake janë dërguar në kufi për të ndaluar atë që Varshava e ka quajtur një “sulm hibrid” nga Bjellorusia.
Varshava refuzon hyrjen e emigrantëve dhe thotë se është gati të mbrojë kufijtë e saj. Komisioni Europian u kërkon 27 anëtarëve të godasin regjimin e Llukashenkos me një raund të ri sanksionesh. Polonia regjistroi mbi 23 000 hyrje të paligjshme nga lindja këtë vit, gjysma e të cilave vetëm në tetor. Berlini i kërkon Brukselit të veprojë dhe të ndihmojë në ndalimin e fluksit të emigrantëve që kalojnë ilegalisht Poloninë nga Bjellorusia, ndërsa Minsku paralajmëron Poloninë për të shmangur provokimet.
Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller, tha se 3 mijë deri në 4 mijë emigrantë të tjerë po mblidheshin pranë kufirit. “Ne presim që në të ardhmen e afërt të ketë një përshkallëzim të këtij lloji në kufirin polak, i cili do të jetë i një natyre të armatosur”, tha ai.
Polonia dhe vende të tjera të BE-së kanë akuzuar Bjellorusinë se po përpiqet të provokojë një krizë të re refugjatësh në Evropë në shenjë hakmarrjeje për kritikat e tyre ndaj goditjes brutale të opozitës nga Aleksandër Llukashenko. Situata është përkeqësuar të hënën kur autoritetet shoqëruan rreth 1000 njerëz në kufirin polak.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë hodhi poshtë sot akuzat e Varshavës se Minsk po koordinon valën e emigrantëve që përpiqen të kalojnë në Poloninë fqinje. “Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë i konsideron akuzat e palës polake si të pabaza dhe të pabazuara”, thuhet në një deklaratë ku akuzohet Polonia për rritjen e tensionit “qëllimisht”.
Bjellorusia paralajmëron Poloninë kundër çdo “provokimi” në kufirin midis dy vendeve, ku mijëra emigrantë po grumbullohen me shpresën për t’u bashkuar me BE-në.
“Ne duam të paralajmërojmë palën polake paraprakisht kundër përdorimit të çdo provokimi, kundër Bjellorusisë për të justifikuar çdo veprim të paligjshëm luftarak kundër migrantëve”. Kjo u bë e ditur nga një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Minskut.
Gjermania i kërkon BE-së të veprojë dhe të ndihmojë në ndalimin e fluksit të emigrantëve që kalojnë ilegalisht Poloninë nga Bjellorusia.
“Polonia apo Gjermania nuk mund ta bëjnë këtë të vetme”, tha ministri i Brendshëm i përkohshëm, Horst Seehofer, për të përditshmen Bild.
“Ne duhet të ndihmojmë qeverinë polake të mbrojë kufirin e saj të jashtëm. Kjo do të ishte në fakt detyra e Komisionit Evropian. Tani unë i bëj thirrje atyre të veprojnë,” tha ai.
Në një intervistë me Bild, Seehofer ai tha se mbështet vendimin e Polonisë për të ndërtuar një mur kufitar.
“Ne nuk mund t’i kritikojmë ata për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Jo përmes përdorimit të armëve të zjarrit sigurisht, por me mjete të tjera që janë në dispozicion”, shtoi ai.
Situata tashmë shumë e tensionuar mes Minskut dhe Brukselit është përkeqësuar pasi qarkulluan imazhet e qindra refugjatëve që marshonin drejt kufirit polak. Varshava e refuzoi hyrjen e tyre dhe tha se ishte gati të mbronte kufijtë e saj, ndërsa Komisioni i BE-së u kërkoi 27 vendeve të godasin regjimin e Lukashenkos me një raund të ri sanksionesh. Këtë vit, Polonia regjistroi mbi 23 000 hyrje të paligjshme të emigrantëve nga lindja, pothuajse gjysma e të cilave në tetor. Një shenjë se Bjellorusia po rrit presionin ndaj Europës, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet.