Bota Lufta në Gaza, më e përgjakshmja për fëmijët palestinezë, mbi 1 mijë...

Lufta në Gaza, më e përgjakshmja për fëmijët palestinezë, mbi 1 mijë janë vrarë

Një fëmijë palestinez vritet çdo 15 minuta nga bombardimet e Izraelit në Gaza sipas një OJQ-je palestineze. Sipas raportit të së hënës nga ‘Defense for Children International’ (DCI), më shumë se 1 mijë fëmijë palestinezë nga 2 mijë e 808 viktima gjithsej kanë humbur jetën nga sulmet ajrore izraelite që nga fillimi i luftës.

Nuk ka pasur në historinë konfliktuese mes Izraelit dhe Hamasit, çast më të përgjakshëm për jetët e fëmijëve – numri i vrarë i të cilëve në luftimet e këtij viti, ka kapur shifra të padëgjuara më parë.

Sipas përllogaritjes së bërë nga Al Jazeera, viti 2023 ka qenë më i përgjakshmi te fëmijët, pasi mbi 1 mijë janë vrarë tragjikisht nga bombardimet izraelite dhe numri i tyre sa vjen e shtohet.

Vetëm në dy javët e fundit, mbi 800 fëmijë janë vrarë nga predhat e Izraelit.

Në komunitetin palestinez, një në dy banorë është nën 18 vjeç. Më shumë se 30% e palestinezëve të vrarë ditët e fundit në Rripin e Gazës janë të mitur.

Për të gjetur shifrën e dytë të lartë (sa gjysma e të sotmes), duhet të kthehemi pas në kohë në vitin 2014, gjatë një lufte të ashpër që u zhvillua sërish mes Izraelit dhe Hamasit, ku numri i fëmijëve të vrarë në atë vit shënoi 532.

Në luftën e vitit 2008-2009 ndërkaq, 341 fëmijë mbetën të vrarë nga bombardimet e Izraelit.

Me shifra më të ulëta, por sërish thellësisht trishtuese, janë edhe luftimet e vitit 2012 dhe 2021, kur respektivisht humbën jetën nga bombardimet 35 fëmijë në 12’ dhe 66 të tjerë në 21’.

Orët e fundit në Gaza kanë qarkulluar foto në rrjetet sociale palestineze. Në pëllëmbë të dorës fëmijët shkruajnë emrin, mbiemrin dhe numrin e identitetit kombëtar. Në rast se familja e tyre do të duhet t’i identifikojë, nëse edhe ata vdesin.

Në spitalin Shifa në Gaza, çdo orë për dhjetë ditë, stafi ka parë dhjetëra fëmijë të shpëtuar nga rrënojat. Fytyrat e tyre janë të mbuluara me gjak dhe pluhur. Për të identifikuar urgjentisht këto viktima të reja të transportuara, spitali më i ngarkuar i qytetit, tani përdor një akronim “W.C.N.S.F”, “Fëmija i plagosur pa familje të mbijetuar”.

Përtej bombardimeve, fëmijët janë viktimat e para të rrethimit total të vendosur në enklavën palestineze nga Ministri izraelit i Mbrojtjes që nga 9 tetori.

Gaza sot është pothuajse ekskluzivisht e privuar nga uji i pijshëm, energjia elektrike dhe ushqimi. Si rezultat, shumë banorë përdorin ujërat e zeza nga puset, duke rritur rrezikun e sëmundjeve, paralajmëroi së fundmi UNICEF.

“Edhe kur uji i pijshëm është i disponueshëm, nuk ka karburant për ta transportuar atë te familjet e bllokuara,” shpjegon Khuloud Saba, një studiues i specializuar për pabarazitë sociale dhe shëndetësore në rajon. “Nëse ndihma emergjente nuk arrin shpejt tek popullsia e prekur, mungesa e ujit dhe/ose uji i kontaminuar do të rrezikojë jetën e të rinjve, veçanërisht të atyre nën pesë vjeç, pasi kapaciteti i tyre imunitar është i kufizuar”, thotë ai për libanezen “L’Orient Le Jour”. “Shumë foshnje nuk do t’i mbijetonin mungesës së qumështit dhe lëndëve ushqyese nëse lufta vazhdon”.

Duhet theksuar po ashtu se popullata në Gaza është një ndër më të rejat në botë, me gjysmën e popullsisë që bën pjesë në grupmoshën poshtë 18 vjeç.

Pra, nga 2.3 milionë palestinezë në Gaza, rreth 1.15 milionë janë fëmijë ose adoleshentë.

Dhe lufta, pikërisht ata, po i prek më shumë se të gjithë, me të tashmen pa një çati për t’u mbrojtur, e të ardhmen pa asnjë vizion konkret qetësie, apo shprese për paqe.

Në disa institucione, si spitali Nasser në Khan Younes, i dyti më i madh në Gaza, fëmijët nën tre vjeç  zënë kryesisht dhomat e kujdesit intensiv, të mbushura me viktima të bombardimeve izraelite.