Më shumë se 2030 delegatët që kishin mbushur ambientet e strukturës që mirëpriste Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste kineze, dëgjuan në një fjalim relativisht të shkurtër, rreth dy orë, liderin e partisë dhe njëkohësisht të vendit, Xi Jinping, i cili foli për një shumëllojshmëri gjërash, nga strategjia shumë e kritikuar e COVID-19 dhe politikën ndaj Tajvanit, por jo për drejtimin e ardhshëm politik të partisë, dhe figurat që do ta përfaqësojnë atë në pesëvjeçarin e ardhshëm.
Nën tonet e qeta të liderit, fshihet në fakt një luftë e brendshme që sipas analistëve po zhvillohet me dyer të mbyllura edhe në ditët e Kongresit.
Pika kryesore është përcaktimi i emrave që do të përbëjnë Komitetin Qendror, shtatë vende që sipas burimeve mund të shkojnë deri në nëntë pas punimeve të Kongresit, si dhe 25 vendet e Byrosë Politike.
Formësimi i Komitetit Qendror do të thotë shumë edhe për drejtimin që Xi Jinping mendon për gjigantin aziatik. Deri më tani, shtatë postet më të rëndësishme të politikës kineze kanë qenë rezultat i ekuilibrave midis rrymave të ndryshme në parti, por Xi Jinping i sigurt për mandatin e tretë dhe me gjasa me fuqi edhe më të shtuar pas Kongresit, mund të ndryshojë edhe këtë traditë.
Sinjalet janë të qarta. Në Byronë Politike, mbështetësit e tij më të zjarrtë kaluan në një dekadë nga rreth 20% gjatë mandatit të parë, në 60% të mandatit të dytë, dhe mendohet që tani të jenë pothuajse 90%.
Aq i sigurt ndihet Xi, aq sa ai mund të vendosë ngritjen në Komitetin Qendror të një figure aspak të dashur si Li Qiang, kreu i Partisë në Shangai që ishte objektivi i protestave të shumta për menaxhimin e tij të pandemisë, me politikën e “zero infektimeve” që ka detyruar izolimin e metropolit për pothuajse 2 vite.
Duke cilësuar si të paprekshëm miqtë e ngushtë të Xi, “ideologun” Wang Huning dhe figurën kryesore të fushatës antikorrupsion, Zhao Leji, figura të reja mund të dalin në horizont, si të besuarit e tij Ding Xuexiang, Li Xi dhe Chen Min’er.
Hyrja e tyre mund të shkaktojë daljen nga Komiteti i kryeministrit Li Keqiang, që cilësohet si një rival i mundshëm i Xi. Për të balancuar disi pjesën më reformiste të partisë, posti i Li Keqiang mund të merret nga Wang Yang.
Sido që të jetë, politika e Kinës pas Kongresit të 20-të pritet të jetë gjithmonë e më agresive, në veçanti ndaj Tajvanit dhe Uashingtonit, në një përplasje ku nuk përjashtohet edhe mundësia e një konflikti.