Kina shkeli marrëveshjen e tregtisë dhe do të paguajë. Paralajmërimi vjen nga presidenti amerikan Donald Trump, pikërisht ndërsa Pekini dhe Uashingtoni do të uleshin në tryezën e negociatave.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u zotua se do të dyfishojë tarifat për produkte kineze me vlerë prej 200 miliardë dollarësh.
“Ata shkelën marrëveshjen kështu tarifat do të rriten. Zv.presidenti kinez do të vij këtu të enjten, por ata e shkelën marrëveshjen, kështu që do të paguajnë. Nëse nuk biem dakord nuk ka asgjë të keqe të marrim më shumë se 100 miliardë dollarë në vit”, deklaroi presidenti amerikan.
Kina nga ana e saj tha se do të kundërpërgjigjej me masat e nevojshme nëse Shtetet e Bashkuara rrisin tarifat ndaj produkteve kineze. Bisedimet mes palëve pritet të zhvillohen gjatë orëve në vazhdim, ndërsa mesnatën e së premtes do të hyjnë në fuqi tarifat e reja kundër Pekinit.
Së fundmi u duk se palët ishin pranë një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës tregtare, por të dielën numri një i Uashingtonit paralajmëroi në Twitter se do të rriste tarifat në fuqi dhe do të prezantonte tarifa të reja.
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në bisedime, Robert Lighthizer, akuzoi Pekinin se nuk i ishte përmbajtur zotimeve të bëra në negociata, por shtoi se një ujdi ishte ende e mundur.
Përshkallëzimi i luftës tregtare mes dy superfuqive lëkundi ndjeshëm tregjet financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi së përplasja mes dy vendeve kishte kontribuar në uljen e parashikimeve globale për rritjen ekonomike.