Diskutimet mbi një dalje nga Bashkimi Europian të koordinuar me institucionet europiane nuk janë ende drejt finalizimit për Londrën zyrtare, por është e qartë se nga 1 janari i vitit të ardhshëm nënshtetasit e Mbretëreshës Elisabeth do të fillojnë të kuptojnë në përditshmërinë e tyre efektet konkrete të BREXIT.
Efekti i parë do të jetë ai… gastronomik. Britanikët por edhe nënshtetasit europianë që nga Mbretëria e Bashkuar duan të kalojnë kufirin e BE-së, duhet të lënë mbrapa çdo produkt me origjinë shtazore, sepse ato do të sekuestrohen në doganë, madje rrezikohen gjoba të kripura. Lajmin e rikujtoi pak ditë më parë vetë kryeministri britanik Boris Johnsson, që shtoi se nuk bëhet fjalë vetëm për sasitë e mëdha, por edhe një sasi krejt modeste, si ajo që gjendet në një sanduiç djathë dhe proshutë.
Kjo, për mungesën e çdo marrëveshjeje midis Londrës dhe Brukselit për normat shëndetësore midis dy institucioneve. Shumë analistë, jo me pak ironi, kanë evidentuar se humbja e Europës për mungesën e produkteve britanike në tregjet e tyre nuk do të jetë “fundi i botës”, siç mund të ishte në drejtim të kundërt.
Por autoritetet kufitare janë të shqetësuar për vonesat që moskuptimi i rregullave të reja mund të shkaktojë, veçanërisht tek shoferët e shumtë të kamionëve që për udhëtimet e tyre në BE përgatisnin gjithmonë ushqime të thata, që shoqëronin orët e gjata në timon.