Lufta kundër informaliteti në biznes është përqendruar në disa drejtime.
Një prej tyre është goditja e informlaitetit në hotele dhe shtëpi pushimi për turistët, kryesisht në bregdet.
Gjatë pasdites të së shtunës, kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, disa foto ku tregon disa hotele dhe shtëpi pushimi, që janë bllokuar nga tatimet pasi janë gjetur në shkelje ligjore.
Për rastet në fjalë, shefi i qeverisë shkruan se “se një numër jo i vogël abuzuesish përsërtës, u është bllokuar aktiviteti”.
“Përshkallëzohet goditja ndaj informalitetit në zonën e Sarandës, ku një numër i konsiderueshëm subjektesh janë regjistruar, duke paguar detyrimet përkatëse ndaj shtetit dhe një numëri jo të vogël abuzuesish përsëritës, u është bllokuar aktiviteti. Kontrollet vijojnë intensivisht me fokus mbi zonën bregdetare, sektorin e naftës dhe mallrat e tjera të akcizës me zero tolerancë ndaj abuzuesve”, shkruan Rama.
Me nisjen e sezonit të rregullt turistik të verës, qeveria ndërmori një aksion për goditjen e paligjshmërisë kryesisht në bizneset që ofrojnë shërbime për pushuesit.
Deri më tani janë kontrolluar mijëra biznese shërbimi, si bare, restorante, shtëpi pushimi, hotele etj, ku dhjetra prej tyre janë bllokuar pasi janë gjetur në shkelje të ligjit.
Një tjetër aksion i madh ka qenë ai kundër lirmit të plazheve të zaptuara nga biznesi privat në mënyrë të paligjshme, dhe kthimin e tyre për qytetarët.
Ky aksion kundër informalitetit, siç ka njoftuar më herët qeveria, do të vijojë edhe pas sezonit turistik, ndërsa së fundi goditjes së paligjshmërisë i është nënshtruar dhe sektori i karburanteve në vend.