SpaceX dhe Amazon, kompanitë e drejtuara nga dy njerëzit më të pasur në botë, janë në “luftë”. Elon Musk është CEO i SpaceX dhe ka një vlerë neto prej 209 miliardë dollarësh, ndërsa Jeff Bezos është CEO i Amazon dhe ka një vlerë neto prej 192 miliardë dollarësh.
Në qendër të konfliktit të tyre është një përpjekje e SpaceX për të modifikuar licencën e saj për Starlink, një plejadë masive e satelitëve të internetit, nga të cilat SpaceX ka lëshuar tashmë më shumë se 900.
SpaceX ka leje nga qeveria federale e SHBA-së për të nisur mijëra satelitë në orbitë, por në regjistrimet e fundit me Komisionin Federal të Komunikimit, kompania tha se disa mijëra nga ato satelitë dëshiron t’i vendosë në një lartësi më të ulët sesa ishte planifikuar ose autorizuar më parë.
Ky ndryshim i propozuar mund t’i vendosë satelitët Starlink në rrugën e një konstelacioni tjetër, të quajtur Project Kuiper, që është propozuar nga Amazon. Kompania nuk ka lëshuar ende ndonjë satelit, por ajo ka siguruar një licencë për projektin.
Planet aktuale të Amazon përfshijnë vendosjen e disa prej satelitëve të saj në orbitë afërsisht 590 km mbi sipërfaqen e Tokës. Ndërsa, ndryshimet në licencën e SpaceX do të lejonin kompaninë të orbitonte gati 3000 satelitët e saj në një lartësi prej 540 dhe 570 km. Amazon argumenton se satelitët Starlink në atë lartësi mund të shkaktonin shumë ndërhyrje të sinjalit me satelitët e Project Kuiper dhe rrjetet e tjera satelitore aty pranë, si dhe rrezikojnë përplasjen mes tyre.
Por, SpaceX nuk i sheh këto shqetësime si konkrete dhe të bazuara në prova. Drejtori i politikës satelitore të SpaceX, David Goldman, tha në një letër, më 22 janar se konkurrenti i tij arriti në ato konkluzione duke “mbledhur vetëm të dhëna që i interesonin” dhe “duke injoruar shumicën e modifikimit” që SpaceX ka propozuar.
Amazon u kundërpërgjigj në një deklaratë, duke thënë: “Faktet janë të thjeshta. Ne krijuam Sistemin Kuiper për të shmangur ndërhyrjet në Starlink, dhe tani SpaceX dëshiron të ndryshojë modelin e sistemit të saj. Këto ndryshime jo vetëm që krijojnë një mjedis më të rrezikshëm për përplasjet në hapësirë, por ato gjithashtu rrisin ndërhyrjet në radio për klientët“.
Satelitët kanë nxitur një rritje të madhe të numrit të objekteve që vendosen në hapësirë. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është nxitur nga kompani si Amazon dhe SpaceX që duan të vendosin mijëra satelitë në orbita nën 2000 km.