A e ka zëvendësuar (fshirë) plotësisht tashmë Lukaku ish-kapitenin zikaltër, Mauro Icardi? Po, jo, mbase. Por, sido që të jetë përgjigjja, sigurisht që nuk ka vend për pendesë. Të paktën këtë e thonë numrat. Pas 22 javësh në Serie A, gjigandi belg regjistron 1886 minuta lojë, 16 gola (36 për qind e 44 golave në total të zikaltërve), 2 asiste; me një mesatare prej 3 goditjesh në portë për ndeshje, me 70% të pasimeve të suksesshme dhe 3 duele ajrore të fituara në garë.
Në ndeshjen ku ai ishte i nevojshëm, si pasojë e skualifikimit të Lautaro, belgu u përgjigj denjësisht, me dy gola. Numrat e tij janë aty, për t’i parë të gjithë. Disa prej tyre janë më të mirët, pasi askush në 5 ligat kryesore europiane nuk ka shënuar 12 gola në 11 ndeshjet e para. Një statistikë rekord, gjithashtu, për Serie A, që nga fillimi i epokës së fitoreve që vlejnë tri pikë. Për trajnerin Conte, ish-sulmuesi i Manchester United është një siguri e madhe për fitoren. Pra, kur Romelu shënon, Interi fiton (pothuajse) gjithmonë: 10 fitore dhe vetëm një barazim, në shtëpi kundër Parmës. Aktualisht, ai ka shënuar 20 gola, duke marrë parasysh të gjitha garat: 16 në Serie A, 2 në Champions dhe po aq në Kupën e Italisë. Mesatarisht, Lukaku takohet me golin çdo 123 minuta lojë.
Ajo që bie në sy te bomberi në fjalë është vijueshmëria. Nëse mendoni se efikasiteti deri më tani është një përjashtim, e keni gabim. Është e vërtetë që sezonin e kaluar (me Manchester United), në këtë pikë të sezonit kishte shënuar 9 gola, por në 2017-2018, në fillim të shkurtit ai ishte në kuotën e 19 golave; në 2016-2017 (me Everton) kishte 17 gola (pa luajtur në Kupat Europiane), në 2015-2016 e gjente ky muaj me 19 gola (pa Kupat Europiane). Performanca e tij deri më tani është më e mirë se ajo e Icardi me PSG (20 gola kundër 17 të ish-kapitenit zikaltër). Një vit më pare, në këtë pikë të sezonit, Maurito kishte realizuar 13 gola; më 2017-2018 kishte 18 gola (pa Kupat Europiane), më 2016-2017 kishte 17 gola, më 2015-2016 e gjeti muaji shkurt me 9 gola, ndërsa më 2014-2015 me 16 gola.