Paul Pogba kërkoi nga Manchester United të largohej këtë muaj dhe do të kishte ndodhur kështu, nëse Jose Mourinho do të mbetej ende trajner. Kampioni i botës në “Rusia 2018”, sikurse shkruan sot “The Sun”, iu kishte thënë shokëve të skuadrës se do të largohej nga “Old Trafford”, qoftë edhe në formë huazimi, nëse trajneri portugez do të mbetej aty.
Pogba ishte i bindur se do të nxiste një marrëveshje të përhershme në verë, për të dalë nga situata e mjerueshme në radhët e Manchester United. Kishte disa klube, që ishin gati ta merrnin 25-vjeçarin në huazim, mes të cilëve Juventusi, ku spikati dhe u bë një yll botëror.
Pogba ishte jashtë forme dhe jashtë skuadrës në fund të “sundimit” të Mourinhos. Ky i fundit u shkarkua pas figurës së keqe në stolin e “Djajve të Kuq”, teksa e pa skuadrën e tij të mundej 3-1 në fushën e Liverpool-it, më 16 dhjetor.
Kjo ishte vuajtja e fundit për Pogba, pasi Mourinho u “zhduk” 48 orë më vonë. Fituesi i Kupës së Botës me Francën shpejt i rishikoi planet e tij për ta lënë “Old Trafford”. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e thirri veçmas fituesin e katër titujve në Serie A dhe i tha se donte ta ndërtonte ekipin rreth tij.
Norvegjezi, që duket se po shkon drejt konfirmimit si i përhershëm në fund të sezonit, falë ecurisë së jashtëzakonshme deri më tani, mori një përgjigje të menjëhershme nga Pogba, kur e rivendosi në formacionin bazë të ekipit. Francezi shënoi dy herë në ndeshjen e dytë dhe të tretë të Solskjaer në stolin e “Djajve të Kuq”, në fitoret kundër Huddersfield dhe Bournemouth.
Ai, gjithashtu, shënoi në fitoren 2-1 në shtëpi, ndaj Brighton. Natyrshëm lind pyetja: çfarë ndodhi, që u tjetërsua sa hap e mbyll sytë? Në fakt, ai ishte i njëjti, por i kishte munguar liria. Kjo liri, që Solskjaer ia ka dhënë për të ndikuar në të gjitha pjesët e fushës, e ka “lulëzuar” në dimër kampionin e botës.
Trajneri norvegjez tha javën e kaluar, gjithashtu, se Pogba mund të jetë kapiteni i ardhshëm afatgjatë i klubit. Me këtë mbështetje të hapur kundërshtohej në mënyrë të drejtpërdrejtë ish-trajneri, Jose Mourinho, i cili e shkarkoi atë edhe si zëvendëskapiten, duke pretenduar se nuk kishte atributet e duhura për ta mbajtur shiritin në krah.