Ndër të gjithë lumenjtë, ai është një gjigant. Kalon përmes pyllit më të madh tropikal të shiut në tokë. Studiuesit thonë se është i domosdoshëm për planetin tonë. Është një vend i përkryer për eksploruesit dhe natyralistët. Kurse për miliona brazilianë është edhe një rrugë komunikacioni jetike. Po përshkruajmë lumin Amazona, boshtin e rajonit të Amazonës.
Një vështrim nga afër i ‘lumit det’
Burimi i vogël i Amazonës gjendet lart në Andet e Perusë, rreth 160 kilometra larg oqeanit Paqësor. Pasi fryhet nga ujërat e lumenjve që bashkohen me të gjatë rrugës, Amazona zbret gati 5.000 metra drejt oqeanit Atlantik. Emri i saj ndryshon disa herë para se të arrijë në territorin brazilian, ku në fillim e quajnë Solimoes. Pranë Manausit, pasi bashkohet me furnizuesin e saj më të madh, lumin Negro, ajo bëhet Amazona madhështore.
Në këtë vend krijohet një spektakël jashtëzakonisht i bukur, që quhet takimi i ujërave. Ujërat ngjyrë kafe të errët të lumit Negro dhe ujërat me llucë të Solimoes takohen dhe rrjedhin përbri njëri-tjetrit e pa u përzier për gati dhjetë kilometra. Kjo dukuri ndodh si pasojë e një sërë faktorëve, përfshirë edhe ndryshimet e përbërjes, dendësisë dhe temperaturës së dy lumenjve.
Debati që ekziston për lumenjtë kryesorë furnizues të Amazonës dhe për burimet e tyre, si edhe për veçoritë e ndërlikuara gjeografike të deltës së saj, e bën të vështirë të përcaktosh se ku fillon dhe ku mbaron saktësisht Amazona. Po të bazohemi te grykëderdhja e saj më e largët, pra në grykajën e Parait, e cila shërben si pikë për hyrjen e anijeve, gjatësia e saj është gati 6.750 kilometra. Megjithatë, sipas botimit brazilian të Librit të Rekordeve Gines, përcaktimi i gjatësisë së përgjithshme të Amazonës është “më tepër një çështje e përcaktimit të fillimit dhe të mbarimit të lumit, sesa çështje matjesh”.
Megjithatë, po të flasim për prurjet ujore, madhështia e lumit Amazona është e padiskutueshme. Prurjet e saj janë më të mëdha se ato të Misisipit, Nilit dhe Jancesë të marrë së bashku. Me një prurje mesatare prej më shumë se 200.000 metrash kub në sekondë, ky lumë gjigant zbraz në oqeanin Atlantik 15 deri në 20 për qind të sasisë së përgjithshme të të gjithë ujit të ëmbël që derdhet në oqeanet e botës. Sasia e ujit që ai sjell vetëm për 30 sekonda, mund të shuante etjen e të gjithë njerëzve për një ditë—një litër ujë për secilin nga gjashtë miliardë banorët e tokës.
Kjo prurje e jashtëzakonshme “e shtyn” detin dhe formon një shtresë me ujë të ëmbël që përhapet në një sipërfaqe me gjatësi 200 kilometra në oqeanin Atlantik. Nuk është e habitshme që kur pa grykën e lumit, Visente-Janjes Pinsoni, një lundrues spanjoll që hyri në Amazonë në qershor të vitit 1500, e quajti atë Mar Dulse (Deti i ëmbël).
Atyre që udhëtojnë në këtë lumë të madh, Amazona u duket pikërisht kështu—një det që përmbyt hapësirën e paanë me pyje. Në disa pika, lumi është kaq i gjerë, saqë po të jesh në njërin breg nuk e sheh dot bregun tjetër. Në kohë përmbytjesh, disa zona të lumit arrijnë deri në 50 kilometra gjerësi. Thellësia, që në disa zona mesatarisht arrin nga 50 deri në 80 metra, ndryshon në varësi të gjerësisë. Në zonën më të ngushtë, në Obidos të shtetit të Parait, thellësia e lumit arrin 130 metra.
Në pjesën më të madhe të Amazonës vërehet një pjerrësi e lehtë, mesatarisht 2 centimetra për kilometër. Pjerrësia e lehtë e grykajës së saj lejon që batica e Atlantikut të futet thellë në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit. Pasojat e baticës ndihen deri në Obidos, 800 kilometra nga grykëderdhja e lumit.
Meqë rrjedh thuajse paralel me ekuatorin, Amazona përfiton si nga vera e hemisferës veriore, ashtu edhe nga ajo e hemisferës jugore. Përmbytja ndodh me radhë, njëherë në lumenjtë furnizues të bregut të majtë e pastaj në ata të bregut të djathtë. Meqenëse niveli i lumenjve ngrihet dhe ulet, në fillim niveli i lumenjve në anën veriore dhe pastaj i atyre në anën jugore, e gjithë Amazona rreh si një zemër e stërmadhe. Luhatjet vjetore të nivelit të ujërave të Amazonës shkojnë nga 9 deri në 12 metra. Përmbytja është e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë në rajon. Meqenëse sjell një sasi të konsiderueshme lëndësh minerale dhe mbetjesh organike që depozitohen në brigjet e tij, lumi plehëron ultësirat e mëdha përreth.
Kush e zbuloi dhe si u kthye në një rajon të banuar?
Eksploruesi spanjoll Francisko de Oreliani ishte evropiani i parë që zbriti në Amazonë dhe i vuri emrin asaj në vitin 1542.
Po përse e quajti Amazonë?
Oreliani thotë se ka qenë dëshmitar i betejave midis fiseve me luftëtare femra të cilat i kujtonin amazonat e mitologjisë greke. Pas tij pati ekspedita të tjera me eksplorues spanjollë, anglezë, holandezë dhe portugezë. Sipas Enciclopédia Mirador Internacional, portugezët bënë “sulme të guximshme e të panumërta për të pushtuar (tokën) përgjatë (lumenjve) Negro, Solimoes e Branko dhe në emër të kurorës mbretërore e morën zyrtarisht në zotërim atë rajon”.
Për ta bërë më të sigurt qëndrimin e tyre në këto vende, portugezët filluan aktivitetin misionar. E njëjta enciklopedi thotë se në përpjekje për të përhapur fenë katolike dhe për të zgjeruar tregtinë e “ilaçeve të pyjeve të virgjëra”—të drurëve, të rrëshirës, të bimëve mjekësore dhe të erëzave —”pjesëtarë të urdhërave fetare shpesh i transferuan misionet e tyre nga njëri vend në tjetrin, por gjithmonë përgjatë brigjeve të lumit. Në këto territore të banuara u formuan me dhjetëra fshatra të vegjël”.
Ky aktivitet i hershëm në shekullin e 17-të dhe të 18-të, si edhe zhvillimi i mëvonshëm i plantacioneve të kauçukut në agimin e shekullit të 19-të, bënë që në rajon të krijoheshin përfundimisht qendra banimi të përhershme. Meqë lumenjtë shërbenin si rrugë natyrore për t’u futur në pyllin e shiut, njerëzit u vendosën përgjatë brigjeve të tyre dhe kështu u formuan qyteza dhe fshatra të vegjël. Sot, qendrat e populluara në pjesën qendrore të Amazonës janë qytete të vjetra, historia e të cilëve zuri fill gjatë atyre shekujve.
Me çfarë lëvizin njerëzit?
Pellgu i Amazonës është pellgu më i madh lumor në botë dhe mbulon gati 6 milionë kilometra katrorë. Ai është më i madh se e gjithë Evropa, pa llogaritur këtu Rusinë. Së bashku me 1.100 degët furnizuese dhe rrjedhat e tjera më të vogla, Amazona formon një rrjet komunikacioni të ndërlikuar që ngjason me sistemin e qarkullimit të gjakut te njeriu. Në këtë rast Amazona do të ishte si aorta, arteria më e madhe e trupit të njeriut. Ky rrjet lumenjsh përmban dy të tretat e gjithë sasisë së ujërave të ëmbla në tokë. Ky rrjet hidrografik mjaft i shtrirë, me më shumë se 25.000 kilometra ujëra të lundrueshme luan një rol të rëndësishëm në transportin dhe në jetën e banorëve vendës.
Miliona veta që jetojnë në rajonin e Amazonës shfrytëzojnë këtë “autrostradë” gjigante ujore. Atë e përshkojnë mjete lundrimi të të gjitha madhësive, përfshirë edhe anijet e mëdha transatlantike që udhëtojnë 1.500 kilometra kundër rrjedhës drejt Manausit. Anije më të vogla mallrash e pasagjerësh shkojnë deri në Ikitos, Peru, 3.700 kilometra larg grykëderdhjes së lumit. Një pjesë e mirë e pasurisë së rajonit të Amazonës eksportohet nëpërmjet lumit dhe po në të njëjtën rrugë vijnë edhe prodhime nga vende të tjera të botës. Edhe lumi Madejra, furnizuesi i saj më i madh e më shumë se 3.000 kilometra i gjatë, zien nga aktiviteti tregtar. Kjo tregti e vrullshme bën që çdo vit në pellgun e Amazonës të mbërrijnë gati 2 milionë tonë mallra. Zona më me gjallëri gjendet midis Manausit dhe Belemit, i cili ndodhet në grykëderdhjen e lumit.
Si është jeta buzë lumit?
Shpërndarja e njerëzve që jetojnë buzë lumit tregon se sa të varur janë ata nga transporti lumor, si edhe parapëlqimin e tyre për tokat pjellore të ultësirave. Sipas Altomirit, një banori vendës, “në këto zona njerëzit përgjatë lumit kanë formuar ferma të vogla ku kultivojnë sidomos maniokat që përdoren për të bërë bollgur me maniokë. Maniokat dhe peshku përbëjnë ushqimin bazë të vendësve. Ata rritin edhe shalqinj, banane, misër, si edhe gjedhë”. Por, kur ndodh ndonjë përmbytje, gjedhët duhen çuar shpejt në zona të tjera, ndonjëherë me trap.
Për të përballuar tekat e lumit, shtëpitë buzë tij janë ndërtuar mbi shtylla. Gjithashtu ka edhe shtëpi lundruese, të ndërtuara mbi trape që janë lidhur afër qyteteve. Belarmino, që udhëton shpesh në lumë thotë se njerëzit “janë shumë mikpritës dhe i përshëndetin të huajt me një buzëqeshje”.
Është e zakonshme të shohësh kaike të vogla që u afrohen mjeteve më të mëdha lundruese për të shitur e për të blerë mallra ose për t’u rimorkiuar deri në lumë. Rremtarit të kaikes i hedhin një litar, që e lidh te kaikja. Prodhimet vendëse, siç janë palma e lakrës, palma verëmbajtëse braziliane, bollguri me maniokë, arrat, lajthitë, bajamet dhe peshku (ku futen edhe karavidhet e ujërave të ëmbla), shiten ose shkëmbehen me drithëra dhe artikuj industrialë.
Lumi është burim të ardhurash për mijëra brazilianë që e sigurojnë jetesën duke transportuar mallra dhe pasagjerë. Ai shërben edhe si rrugë natyrore për transportimin e lëndës drusore që pritet në sharrat në brendësi të pyllit.
Një pjesë e mirë e ushqimeve proteinike që konsumohen në rajon vjen nga lumi. “Është llogaritur se në Amazonë ka rreth 2.000 lloje peshqish, shumë më tepër se në çdo sistem tjetër lumor në tokë”,—thotë botimi portugez i librit Vida Selvagem nos Rios (Habitati i botës shtazore). Pas ekspeditës së tij në rajonin e Amazonës, oqeanografi i famshëm Zhak-Iv Kusto arriti deri aty sa të thoshte se ‘ka më shumë lloje peshqish në Amazonë, sesa në oqeanin Atlantik’.
Ndërmjet kafshëve që formojnë faunën ujore është edhe lopa barngrënëse e detit, e cila rrezikon të zhduket. Është një gjah i dëshirueshëm, pasi një lopë deti e bëshme mund të japë më shumë se 100 litra vaj. Ky gjitar është mesatarisht 2,5 metra i gjatë dhe peshon rreth 350 kilogramë. Këtu rritet edhe piraruku, një peshk gjigant i ujërave të ëmbla që njihet si merluci brazilian. Ai është mesatarisht më shumë se 2 metra i gjatë dhe peshon afro 70 kilogramë. Delfini botu, i quajtur ndryshe delfini i lumit Amazona, si edhe delfini tukuksi, i mahnitin njerëzit ndërsa duken dhe zhduken sa hap e mbyll sytë.
Një udhëtim i rrallë me anije
Që prej shumë kohësh anijet kanë qenë pjesë e pandashme e jetës në rajonin e Amazonës. Ato janë baza për sigurimin e jetesës së mijëra shitësve që i shesin prodhimet e tyre atje dhe kështu u sjellin bashkësive të veçuara buzë lumit diçka nga qytetërimi. Gjithashtu nëpërmjet anijeve realizohet transporti jo i kushtueshëm për popullsinë e qyteteve dhe të fshatrave të thella ku nuk ka rrugë tokësore për të shkuar. Shumica e pasagjerëve marrin me vete shtretër që varen, të cilët i rrasin në një vend të ngushtë. Nga kjo kuptojmë se përse pasagjerët shtyhen kur anija arrin në dok, pasi çdokush do një vend të mirë për të varur shtratin e tij. Atyre që do të udhëtojnë në kuvertën e poshtme do t’u duhet të rrinë në të njëjtin vend me lloj-lloj mallrash. Meqë udhëtarët kanë qejf të bisedojnë, është e lehtë të zësh miqësi dhe për këtë ke kohë sa të duash, pasi zakonisht udhëtimi zgjat disa ditë.
Pranë Manausit, trafiku në lumë është shumë i ngarkuar, sepse porti i tij është më i rëndësishmi në rajonin e Amazonës. Ai është vendi ku grumbullohen prodhimet e një zone të madhe që përfshin vise të Perusë, Bolivisë dhe Kolumbisë. Aty po lulëzon edhe ekoturizmi, duke sjellë vizitorë nga Amerika e Jugut dhe nga pjesa tjetër e botës.