Nga Hungaria nuk pritet progres në fushën e sundimit të ligjit, të paktën deri pas zgjedhjeve të prillit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, e bëri një deklaratë të tillë pas takimit me kryeministrin Viktor Orbán në Budapest të hënën.
Orbán e ndau këtë vlerësim në konferencën e fundit për shtyp të samitit të Grupit të Vishegradit, gjatë së cilës u pa një raport i ngrohtë mes të dyve.
Orbán tha se shpesh ka “debate serioze” dhe herë pas here “debate të ashpra” mes tij dhe Macron, por atij i pëlqejnë argumentet.
“Debati është i keq vetëm nëse nuk ka cilësi; nëse një debat ka cilësi, është gjë e mirë.”
Në konferencën për shtyp, Orbán pretendoi se Hungarisë nuk po i jepet fondi i rimëkëmbjes së koronavirusit nga ana e BE-së, për shkak të ligjit hungarez anti-LGBTQ+, por në këtë pikë Macron ndërhyri për të sqaruar se arsyeja janë çështjet që lidhen me korrupsionin dhe prokurimin publik.
Objektivi kryesor i vizitës së Macron në Budapest ishte takimi me Orbanin dhe pjesëmarrja në samitin e Grupit të Vishegradit, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e vendeve të Evropës Qendrore për temat kryesore të një axhende ambicioze që ai vendosi për presidencën e ardhshme franceze të Këshillit të BE-së, si çuarja përpara e një pakti të migracionit të BE-së, aksioni klimatik, i ashtuquajturi plani “Busulla Strategjike” që synon të forcojë aftësitë ushtarake të bllokut, si dhe “autonominë strategjike” si për ekonominë e BE-së ashtu edhe për mbrojtjen e saj.
Të kundërtit që tërhiqen
Orbán dhe Macron zyrtarisht i përkasin skajeve të kundërta të spektrit politik.
Udhëheqësi hungarez ka aspirata për të krijuar një aleancë të re, pan-evropiane të partive nacionaliste dhe euroskeptike. Ndërkohë, La République En Marche e Macron qëndron në qendër të një lëvizjeje progresive, Rinovo Evropën, dhe është aleate me disa nga kundërshtarët e brendshëm më të zëshëm të Orbanit.
Por të dy udhëheqësit i kanë shmangur përplasjet në publik dhe kanë punuar së bashku në prapaskenë për çështje kur interesat e tyre konvergojnë në skenën evropiane.
“Macron formoi një bosht me kryeministrin hungarez Viktor Orbán në Këshill”, ka thënë udhëheqësi i grupit të Partisë Popullore Evropiane Manfred Weber në 2019, pas përpjekjes së tij të dështuar për t’u bërë president i Komisionit Evropian.
Dhe ndërsa ai e ka kritikuar vazhdimisht liderin francez për politikën e migracionit, Orbán gjatë viteve është përpjekur gjithashtu të nxjerrë në pah atë që ata kanë të përbashkët.
Të hënën, Orbán tha se ai dhe Macron bien dakord për tre gjëra: që e duan secili atdheun e tyre; se të dy po punojnë për të forcuar Evropën; dhe se Evropa ka nevojë për autonomi strategjike. Për Hungarinë, sipas Orbanit, autonomia strategjike nënkupton një industri evropiane të mbrojtjes, energji bërthamore dhe një sektor të fortë bujqësor.
Vizita në Hungari dhe takimi me Orban nuk është e para e një kandidati për president të Francës. Edhe rivalët e tij të ekstremit të djathtë, Le Penn dhe Zemour, kanë vizituar Budapestin javët e fundit.