Bota Macron provokon sërish: Amerika do ta kuptojë. Europa duhet të jetë e...

Macron provokon sërish: Amerika do ta kuptojë. Europa duhet të jetë e pavarur në mbrojtjen e vet

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe u ka bërë thirrje kombeve eropiane që të marrin përgjegjësi sovranisht për mbrojtjen e tyre, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

“Duhet të them se Këshilli i Sigurimit nuk merr më vendime të dobishme”, tha ai në një intervistë me revistën Grand Continent.

Franca është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të KB, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe secili ka një veto.

Shtetet e Bashkuara tradicionalisht kanë bllokuar rezolutat kritike ndaj Izraelit dhe Rusia, ndër të tjera, ka parandaluar vendosjen e sanksioneve në Siri.

Evropa duhet të jetë më e pavarur në mbrojtjen e saj, tha Macron.

“Shtetet e Bashkuara do të na respektojnë si aleatë nëse e marrim veten seriozisht dhe nëse jemi sovran në mbrojtjen tonë”, tha ai.

Ai hodhi poshtë komentet nga ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila kishte thënë më parë se Evropa duhet të mbetet e varur nga mbrojtja ushtarake e SHBA-së në të ardhmen e afërt.

“Unë nuk jam plotësisht dakord me këtë mendim të ministres gjerman të Mbrojtjes,” tha Macron, duke shprehur besimin se kancelarja gjermane Angela Merkel ndan mendimin e tij.

“Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë autonominë tonë, siç bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Kina për veten e tyre.”

Macron ndezi polemika vitin e kaluar kur ai tha për NATO-n se ishte “klinikisht i vdekur” për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të Aleancës.