Presidenti francez, Emmanuel Macron shprehu solidaritet të plotë me Greqinë dhe Bullgarinë, që po përballen me një dyndje të migrantëve nga Turqia.
Ai deklaroi se ishte gati për t’u ofruar një ndihmë të shpejtë dhe për të mbrojtur kufijtë, në kuadër të përpjekjeve europiane.
“Solidaritet të plotë me Greqinë dhe Bullgarinë. Franca është e gatshme të kontribuojë në përpjekjet europiane për t’u dhënë një ndihmë të shpejtë dhe për të mbrojtur kufijtë”, theksoi kreu i shtetit.
“Ne duhet të veprojmë së bashku për të shmangur një krizë humanitare dhe migratore”, shtoi ai.
Komisionerja europiane, Ursula von der Leyen deklaroi të shtunën se Bashkimi Europian ka vëzhguar i shqetësuar hyrjen pa kontroll të migrantëve nga Turqia drejt kufijve grekë dhe bullgarë.
“Ne kemi si prioritet që Greqia dhe Bullgaria të marrin mbështetjen tonë të plotë. Ne jemi të gatshëm t’u ofrojmë një mbështetje shtesë në kufijtë tokësorë, kryesisht nëpërmjet FRONTEX”, pohoi ajo në Twitter.